Zviceranët ua kalojnë kosovarëve në trafikimin me qenie njerëzore

E publikuar: 01/11/2016 07:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova deri vonë ishte vendi me më së shumti trafikantë të qenieve njerëzore sa i përket trafikimit në Zvicër. Por tash këtë vend “nderi” Kosovës ia ka marrë Zvicra, gjegjësisht qytetarët e saj, shkruan “SonntagsZeitung”.

Në vjeshtën e vitit 2015 përmes rrugës ballkanike në Evropën perëndimore vinin me mijëra refugjatë. Më shumë se çdo i dhjeti trafikues i dyshuar me këtë rast ishte nga Kosova. Por, sipas një raporti të bërë nga gazeta zvicerane, shtetasit zviceranë ndërkohë ua kanë zënë vendin kosovarëve në trafikim me qenie njerëzore.

Në vitin 2015, Trupat e Mbrojtjes së kufijve kanë regjistruar 464 raste të dyshimit për trafikim me njerëz. Në rreth 12 për qind të tyre (59 raste) si trafikues dyshoheshin kosovarët. Pas tyre vinin shtetasit e Sirisë, të Eritresë dhe të Zvicrës. Këta të fundit ishin të implikuar në 33 raste.

Ndërkaq në periudhën janar-shtator 2016 Trupat e Mbrojtjes Kufitare kanë regjistruar vetëm 13 raste ku kosovarët janë të dyshuar si trafikues. Ndërsa 23 të dyshuar janë shtetas zviceranë. Kështu, kosovarët tashmë janë shtyrë në vendin e katërt të kësaj liste të palavdishme.

Sigurisht, ky zhvillim shpjegohet me faktin e mbylljes së “Rrugës së Ballkanit” të refugjatëve. Por gazeta thotë se kjo nuk e shpjegon arsyen e rritjes së numrit të shtuar të zviceranëve në këtë biznes, të cilët ndërkohë janë ngjitur në vendin e parë të toplistës prej 10 vendeve.

Administrata Doganore e shpjegon këtë me punën e shtuar të autoriteteve ndjekëse, që ka pasur ndikimin e vet në qasjen e rrjeteve të trafikimit.

Ndërkaq një shpjegim tjetër është ai se në disa raste janë kapur zviceranë, të cilët kanë vepruar kundër ligjit të shtyrë nga bindja humanitare dhe kanë sjellë refugjatë në vend, nga andej kufirit, përcjell albinfo.ch. Këta pastaj kanë hyrë në listat e trafikantëve sikur të tjerët që kanë vepruar për përfitime materiale.

Megjithatë, Kosova, për shkak të mjerimit ekonomik atje dhe diasporës së madhe kosovare në Zvicër mbetet një vend i rëndësishëm i prejardhjes së trafikantëve.

Ajo do të vazhdojë të mbetet edhe më tutje rreth kreut të listës së përmendur, krahas zviceranëve, të cilët kanë vepruar të shtyrë nga idealizmi humanitar.