Zvarritja e Emërtimit të Rrugëve në Prizren

E publikuar: 01/05/2018 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke qenë një ndër vendet më atraktivë për turistët në Kosovë, qyteti i Prizrenit ende nuk ofron orientim adekuat në rrugë.

Emërtimi dhe sinjalizimi i rrugëve në Prizren ende nuk është bërë. Komuna po arsyetohet se zvarritja po bëhet për shkak të problemeve me tenderim të këtij shërbimi.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka në debatin e balotazhit kishte premtuar se kjo çështje do të zgjidhej brenda katër muajve të qeverisjes së tij.

“Për tabelat për emërtimin e rrugëve, tri herë është anuluar tenderi për shkak të problemeve se kush e ka marrë tenderin, në momentin që hiqet kjo besoj që duhet të vazhdojmë. Besoj që 3-4 muajt e parë e gjitha është gati veç është anuluar tenderi”, kishte thënë Haskuka.

Ai u betua si Kryetar më 22 dhjetor të vitit 2017, që do të thotë se kanë kaluar më shumë se katër muaj të qeverisjes së tij.

Sipas Haskukës, edhe në këtë kohë komuna po vazhdon të përballet me problem në procedura të prokurimit dhe sinjalizimi dhe emërtimi i rrugëve ende nuk është bërë./kallxo.com/