ZTE është kompania e radhës që sjell një telefon 5G

E publikuar: 27/02/2019 07:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kongresin Mobil Botëror u paraqitën telefonët e parë 5G dhe ZTE është kompania më e fundit që sjell një të tillë me prezantimin e Axon 10 Pro 5G.

Telefoni do të dalë në shitje në Kinë dhe Evropë në fund të vitit. Përveç rrjetit 5G, Axon 10 Pro 5G është një përmirësim i ndjeshëm krahasuar me paraardhësin Axon 9 Pro.

“Notch” në madhësinë e iPhone është zvogëluar ndjeshëm ndërsa skaneri i shenjave të gishtërinjve është zhvendosur nga pjesa e pasme në ekranin përpara.

Sistemit të dyfishtë të kamerave i është shtuar një e tretë. ZTE nuk ka publikuar plotësisht të dhënat e Axon 10 Pro 5G por të paktën do të ketë një procesor Snapdragon 855 së bashku me modemin 5G Qualcomm X50.

Sipas një raporti të 9to5Google, telefoni ka ekran 6.47-inç me rezolucion 2340×1080 piksel, 6GB RAM dhe 128GB memorie.

Ashtu si shumica e telefonëve edhe për Axon 10 Pro 5G nuk ka një çmim e as një datë debutimi.

Krahas këtij flagshipi ZTE gjithashtu prezantoi Blade V10 dhe Blade V10 Vita të cilët zëvendësojnë modelet Blade V9 dhe Blade V9 Vita.

Blade V10 ka procesor me tetë bërthama 2.1 Ghz, ekran 6.3-inç 2280×1080 piksel, kamër frontale 32-megapiksel, kufjet 3.5mm, bateri 3,200 mAh dhe Android Pie.

Telefoni vjen në dy variante me 3GB RAM dhe 32GB memorie dhe 4GB RAM dhe 64GB memorie. Në lidhje me variantin Vita ZTE nuk dha informacione por sipas raportimeve telefoni ka procesor 1.6Ghz dhe ekran me rezolucion 1520×720 piksel me Android Pie. /PCWorld Albanian