Zoti Gabriel për opozitën, si Don Kishoti përballë mullinjve paqësorë të erës

E publikuar: 20/04/2017 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Ndriçim Kulla
Ministri i Jashtëm gjerman, Gabriel, gjatë vizitës së tij në Shqipëri nuk bëri gjë tjetër veçse na konfirmoi në mënyrën e tij fuqinë e çuditshme të çadrës së opozitës në bulevard. Ministri i Jashtëm i vendit më të fuqishëm të Europës vështirë se i ka bindur gjermanët që kanë qenë të interesuar të dinë për këtë vizitë të tij, se opozita shqiptare ka nisur një lëvizje destabilizuese në vend duke ngritur një çadër në bulevard përballë selisë së qeverisë. Vërtet që opozita ka dalë nga parlamenti dhe nuk pranon të hyjë në zgjedhje pa një qeveri teknike, por në situatën e tanishme në Shqipëri, të tilla kërkesa nuk quhen dot si destabilizuese kur mënyra e zgjedhur për të shprehur këtë kauzë, është ajo më paqësore e mundshme, një çadër e ngritur në bulevard përballë ndërtesës së qeverisë, si parlament i qytetarëve.

Fuqia e çadrës, sekreti i saj është padyshim te të qenit e saj një gjetje e llojit gandist, të rezistencës paqësore. Lideri i opozitës, Basha, i cili pati idenë e çadrës, e ka konceptuar atë si një qëndresë ndaj së keqes, por si qëndresë paqësore. Çadra është një kala e qëndresës paqësore! Për këtë arsye çadra nuk mund të fajësohet nga këndvështrimi europian. Edhe mbështetësit më të fortë të Kryeministrit Rama në Europë e ndiejnë veten të çarmatosur para çadrës. Ata vijnë në Tiranë të përpunuar kundër liderit të opozitës, për ta quajtur lëvizjen e tij destabilizuese, por e kuptojnë se akuzat e tyre ngjajnë qesharake përpara çadrës, që nuk mund të paraqitet si simbol të destabilizimit të vendit. Ta tregosh me gisht çadrën si shtabin e destabilizimit të vendit, është një gjë e ngjashme me atë të Don Kishotit që tregonte me gisht mullinjtë paqësorë të erës dhe thoshte se janë gjigantë të këqij.

Z.Gabriel dhe Kryeministri Rama dolën së bashku të flasin në selinë e Kryeministrisë, që i bën hije çadrës para saj, dhe, megjithëse nuk e përmendën shprehimisht çadrën, fjalët e tyre kishin të bënin me të. Dhe me këtë ministri gjerman dhe kryeministri shqiptar vetëm sa na treguan që është çadra e vogël në anë të ndërtesës së madhe të Kryeministrisë, ajo që i bën hije kësaj ndërtese. Qeveria shqiptare është vënë nën hijen e çadrës së opozitës në bulevard. Sa ngrehinë e çuditshme politike kjo çadër në bulevard! Një ngrehinë kaq e brishtë, anës ndërtesës së madhe të Kryeministrisë, por që megjithatë bën efektin e një kalaje!

Çadra në bulevard, përveçse si kala të ngjason edhe me një anije dhe ky është aspekti tjetër i fuqisë së saj. Shpesh lëvizjet politike i kanë krahasuar me lundrime në det. Tani disa thonë se çadra-anije lundron në ujëra të panjohura politike. Sidomos ata të cilët prisnin që lideri Basha të arrinte një kompromis para përfundimit të afateve ligjore për regjistrimin e partive në zgjedhje, qoftë edhe me një shtyrje të zgjedhjeve deri në fund të qershorit. Kryetari i KQZ-së, i emëruar nga PS, e hodhi në treg këtë ide, si një mënyrë për ta kënaqur opozitën, që të mund të justifikonte tërheqjen e saj duke thënë se kishte arritur një fitore.

Çadra-anije ka një timonier që është lideri i opozitës, Basha. Në lundrimet në det, aftësia e timonierit vihet në pah kur anija hyn në dete të panjohura, siç ka ndodhur në zbulimet e mëdha gjeografike. Në rastin tonë, aftësia e timonierit të anijes politike, pra e liderit, vihet në pah kur ai nuk i trembet të panjohurës, shtegut të pashkelur. Nëse nuk do të kishte qenë kështu nuk do të kishim pasur pluralizmin politik në 1990, kur disa burra hipën në një anije politike dhe lundruan me të në një det të panjohur. Tani jemi pikërisht në një çast të tillë. Në 1990, PD, lindi si parti nga një lëvizje që iu siguroi shqiptarëve të drejtën e zgjedhjeve pluripartiake, duke dalë si opozita e parë në shtetin monist. Dhe zgjedhje pluripartiake do të thotë demokraci. Sado ankesa që të ketë, bilanci i kësaj demokracie në këto 27 vjet është pa krahasim më i mirë se gjysmë shekulli diktaturë.

Partia-shtet, që sundonte vendin në 1990, nuk e akordoi me dëshirën e saj të drejtën e zgjedhjeve pluripartiake për shqiptarët, por u detyrua ta bënte këtë gjë. 27 vjet më vonë, ish-partia shtet e vitit 1990, ka gjetur një mënyrë për t’i bërë të pavlefshme zgjedhjet pluripartiake, duke bërë aleancë me mafien e drogës, së cilës i ka dhënë liri në të gjithë vendin, me kusht që ta mbështesë për të blerë votat. Kjo marrëveshje duket qartë. Ka një treg të votës që ushqehet nga tregu i drogës. Këtë të vërtetë demokratike ministri Gabriel le ta themi hapur e injoroi me brutalitet. Në zhvillimet e ardhshme koha do ta vërtetojë qëndrimin e gabuar politik të tij.

Në këto kushte, PD ka detyrimin historik që të reagojë jo thjesht si një parti, por edhe si lëvizja nga ku e ka origjinën ajo, lëvizja politike e vitit 1990 që solli pluralizmin politik në vend. Shkurt, PD ka të drejtën historike që të luajë rolin e garantit të pluralizmit politik dhe me këtë edhe të demokracisë në vend. Pikërisht simbol i këtij funksioni të PD-së është bërë çadra në bulevard. Në këto ujëra e ka drejtuar çadrën-anije timonieri Basha, dhe megjithëse këto duken si ujëra të parrahura politike për një parti, ato janë më se të njohura për një lëvizje politike shqiptare, atë të vitit 1990 që kam përmendur më lart. Që në fund të fundit do të thotë se nuk janë ujëra të parrahura as për PD-në që e ka origjinën në atë lëvizje. Këtu qëndron edhe sekreti i fuqisë së çadrës në bulevard. Dhe vetë sekreti i fuqisë së Bashës si lider. Basha po tregon në këtë lëvizje një fuqi që shumë vetë, e sidomos kundërshtarët e tij politikë, nuk e prisnin që ta kishte ai.

Çdo anije ka minjtë e vet dhe çadra-anije nuk mund të bëjë përjashtim. “Minjtë” e çadrës-anije, janë “minj” politikë. Por edhe ata kanë një gjë të përbashkët me të gjithë minjtë e anijeve, të cilët qëndrojnë në anije kur mund të ushqehen prej saj, si parazitë, pa i dhënë kontribut, por që largohen nga anija të parët kur iu duket i rrezikshëm qëndrimi në të. Të tillë “minj” politikë e braktisën çadrën-anije, ose u distancuan prej saj, pikërisht kur ajo hyri në shtegun e misionit të saj të madh. Sidoqoftë më mirë që çadra-anije, dhe në fund të fundit vetë PD, të pastrohet nga parazitët politikë.

Të tjerë “minj” politikë, më dinakë, rrinë me mision në çadrën-anije duke dashur ta brejnë atë nga brenda që të shembet. Këta bëjnë sikur e mbështesin kauzën e çadrës së ngritur në Sheshin e Lirisë, siç e quan lideri i opozitës, por në fakt punojnë kundër saj. Por sa më tepër që të ecë përpara çadra-anije, aq më shumë do të bëhet i vështirë qëndrimi i këtyre në çadër.