Zonat e nxehta të zgjedhjeve të së dielës (harta)

E publikuar: 21/06/2017 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një konflikt mes dy grupesh të armatosura disa ditë më parë në Elbasan u mbajt larg medias.

Burime të policisë u thanë reporterëve lokalë se përplasja ishte për motive politike. Grupet ishin mbështetës të dy partive që synojnë të marrin dy mandate në këtë zonë.

Zyrtarisht policia nuk e konfirmoi këtë variant.

Në Elbasan, në vitin 2013 PS mori 6 mandate, PD 4 mandate, LSI 2, PDIU 1 dhe PR 1.

Këtë vit beteja është si mes PS e PD ashtu edhe mes LSI e PDIU, me LSI që synon të ruajë votat e vitit 2013 dhe PDIU që pretenon një mandat tjetër. Ndërsa PR kandidon nën siglën e PD.

Njësitë ku LSI e PDIU po përpiqen të rrisin influencën janë edhe zonat më të nxehta të këtij rajoni. LSI drejton bashkitë e Cërrikut dhe Prrenjasit, ndërsa PDIU të Peqinit.

Në Dibër policia arrestoi gjatë natës punonjësin e policisë kufitare të Durrësit, Demir Deda, 26 vjeç.

Ai ishte përfshirë në një konflikt mes simpatizantëve të dy subjekteve politike në fshatin e quajtur Ushtelenxë.

Në makinën e tij “Range Rover” u gjet një pistoletë që ai e mbante me leje.

Në prokurori policia referoi materialet edhe për shtetasit:

D.R, 36 vjeç, banues në Peshkopi, M.Z, 27 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë dhe K.S, 23 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë.

Burime jozyrtare thonë se simpatizantët i përkasin një partie të vogël dhe force të madhe politike.

Në zgjedhjet e vitit 2013 PS mori 2 mandate në Dibër, LSI 1 dhe PD 3. Këtë vit edhe PDIU pretendon të marrë 1 mandat, me vota që mund t’i vijnë nga të pakënaqurit e dy forcave të mëdha.

Kjo prishje e pritshme balancash duket edhe burimi i konfliktit dhe e bën Dibrën një zonë të nxehtë në këto zgjedhje.

Sot Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, kërkoi shkarkimin e Florian Lalës nga detyra, si punonjës i Gardës së Republikës. Ai është kapur duke bërë fushatë për kandidaten e PDIU -së. 

Javën që shkoi, në Lezhë, u dhunua kryeplaku i fshatit Raboshtë, Gjovalin Gjini, i cili është përfaqësues i LSI. Kjo parti akuzoi qeverinë se ka angazhuar bandat kundër mbështetësve të saj.

Në të njëjtën kohë u dhunua kryetarja e LRI dhe një mbështetëse tjetër e LSI në Fushë Arrës, Pukë. Akuzat ishin të njëjta nga partia e Metës.

Në Shkodër një përfaqësues i LSI u kallëzua penalisht dhe u kërkua verifikim për dy kandidatët e kësaj partie.

Në Lezhë, në zgjedhjet e 2013 –ës PD mori 2 mandate, LSI 1 dhe PD 4. Në krahasim me zgjedhjet e 2009, PS humbi një mandat, të cilin e fitoi LSI që ishte në koalicion.

Në zgjedhjet e 2013 –ës, një militant i LSI u vra gjatë një përplasje para një qendre votimi, me militantë të PD. U raportuan edhe incidente të tjera që përfshinin një kandidat për deputet, i cili, pasi e fitoi mandatin me anë të disa manovrave, u detyrua ta dorëzojë atë.

Edhe këtë dielë, Lezha pritet të ketë tensione në zona të caktuara. Të njëjtat grupe problematike të vitit 2013 mbeten active.

Në Shkodër PS mori 4 mandate në 2013, LSI 1 dhe PD 5. Të dielën LSI pretendon të ketë 2 mandate, PD synon rifitojë votat e humbura 4 vjet më parë dhe PS synon një mandat të pestë.

Por hyrja e PSD në lojë me deputetin Tom Doshi, i bën më të vështira përllogaritjet.

Zona më e nxehtë e këtij rajoni konsiderohet Puka, ku në zgjedhjet lokale të vitit 2015 u përfol angazhimi i fortë i Arben dhe Mark Frrokut, njëri i dënuar me burg përjetë për vrasjen e një oficeri të lartë të policisë dhe tjetri, ish –deputeti, për pastrim parash.

Në Zharrëz të Fierit, LSI denoncoi dhunimin e një simpatizanti të saj. Ilir Meta akuzoi PS –në, por Gramoz Ruçi që po udhëheq fushatën e socialistëve në Fier, e mohoi.

Fieri pritet të rezervojë një garë të fortë, por edhe tensione, siç ka ndodhur në dy zgjedhje të mëparshme parlamentare.

Në vitin 2009 tre qendra numërimi u bllokuan për thuajse 1 javë, ndërsa një kandidate për deputete e PD u dhunua përpara qendrës së numërimit.

Në vitin 2013 PS mori 9 mandate, LSI 2 (1 më shumë se në 2009), PD 4 mandate dhe PDIU 1 mandat.

PS ka vendosur Ruçin të 9-in në listë, si sfidë për të marrë më shumë mandate se 4 vjet më parë, por llogaritë u bënë pa PD –në në garë.

Futja e PD –së në zgjedhje e bën situatën më të paparashikueshme, sikundër edhe dalja e LSI –së e vetme, e cila kërkon një mandat të tretë, pretendime këto që kanë rritur edhe tensionet mes saj dhe PS -së. /Lapsi.al