Zogiani: U bë një puç nga njerëzit e LDK-së që s’fituan vota, ata që i prinë fushatës s’po pyeten

E publikuar: 21/03/2020 00:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësminsitri i Infrastruktrës dhe Ambientit, Avni Zogiani, ka hedhur akuza drejt LDK-së se me të tjera struktura fitoi vota e me të tjera u përfaqësua në Qeveri.

Ai tha se ishte kryeparlamentarja Vjosa Osmani që me elokuencën e saj kërkoi votat e elektoratit të LDK-së dhe disa të tjerë, por se këtu nuk ishte ish-ministri Agim Veliu, njofton Klan Kosova.

“Janë disa njerëz të LDK-së që preferojnë të jetë edhe PDK-ja në qeveri. Ajo që është e sigurt është se pikërisht ata që i kanë prirë fushatës së LDK-së nuk janë njerëzit që po pyeten. Ata që s’kanë dalë fare në zgjedhje si Agim Veliu apo Isa Mustafa”.

“Ata që kanë dalë ta kërkojnë votën nuk po pyetën. Kryefjala e fushatës ka qenë Vjosa Osmani edhe me këtë ide edhe Vetëvendosja ka dëshiruar koalicionin. Kemi memorie të fushatës se si është fituar vota. Pikërisht me elokuencën e Osmanit u fituan votat dhe u faktorizuan njerëzit më destruktivë”.

“Është një lloj puçi, kushtimisht, prej njerëzve që nuk kanë dalë të marrin vota të LDK-së. Ata kanë votuar një strukturë krejt tjetër dhe krejt tjetër në Qeveri”.

Megjithatë, Zogiani tha se ai dhe shefi i tij, Lumir Abdixhiku, nuk kanë pasë asnjëherë mospajtime, por se puna iu ka shkuar shumë mirë.

“Nuk kam asnjë vërejtje për ministrinë ku jam. Unë mund të kem vetëm lëvdata për MIA. Është e çuditshme si është pretenduar prej presidentit, madje edhe prej Veliut, se nuk po ecën puna mirë, kur ne s’kemi pasë asnjë vërejtje”.

Zogiani tha se Veliu ka qenë kontrovers dhe në mesin e atyre personave të LDK-së që kanë qenë kundër ndryshimit. Për më tepër, ai tha se ka qenë në sinkron me presidentin Hashim Thaçi.

“Ka gjasa që Qeveria të bie. Por, Qeveria bie nëse këta e nxjerrin sipër interesin e tyre të përgjithshëm me problemet banale sikur shkarkimi i ministrit, që ishte i pashmangshëm, sepse ishte anëtar i Këshillit të Sigurisë Nacionale. Edhe brenda LDK-së ka mospajtime të ashpra. Janë disa deputetë që e kanë thënë hapur se janë kundër mocionit të mosbesimit”.

Zëvendësministri tha se këtë situatë po e shfrytëzojnë partitë të tjera, që siç thotë, e kanë mënyrë të vetme të hyrjes në pushtet.

“Nuk e di çfarë qëndrimi do të merr PDK. Edhe pse sot Kadri Veseli tha se do të mbështesin mocionin, nuk ishte krejt i qartë, por e lanë mundësinë për manovrim”.

Zogiani ka folur edhe për krizën e pandemisë, për të cilën tha se Kosova e ka menaxhuar mjaft mirë dhe që ende nuk është shënuar ndonjë vdekje është pikërisht për shkak të kontrollit që ka vurë Qeveria.

“Shpresoj që nuk do të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme se s’ka nevojë. Deri sot s;ka pasë asnjë vërejtje mbi menaxhimin e situatës. Veprimi i Veliut ka qenë në linjë me Thaçin. E dimë se çfarë aventurieri është presidenti në politikë”.