Zjarr në një spital në Korenë e Jugut – dhjetëra të vdekur

E publikuar: 26/01/2018 13:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të paktën 41 veta humbën jetën nga një zjarr që shpërtheu në një spital në Korenë Jugore. Numri i viktimave mund të rritet.

Më shumë se 70 veta janë plagosur, dhjetë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Zjarrfikësit thanë se zjarri shpërtheu në dhomën e emergjencave në spitalin Sejong në qytetin Miryang, rreth 300 kilometra në jug të Seulit dhe u zgjerua me shpejtësi.

Sipas raportimeve, rreth 200 pacientë ndodheshin në ndërtesën e spitalit dhe në një azil pleqsh aty pranë. “The Korean Herald” shkroi se 94 pacientët e azilit u evakuuan me kohë.

Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, mbajti një takim emergjent me ndihmësit e tij duke kërkuar që të ofrohet cdo ndihmë e mundshme mjekësore për të ndihmuar të mbijetuarit. Një zëdhënës i presidentit tha se ai shprehu “keqardhjen dhe pikëllimin” e tij për ngjarjen.

Zjarrfikësve iu deshën gati tri orë për të shuar zajrrin. Shefii tyre, Choi Man-woo, u tha gazetarëve se shkaktari i zjarrit është ende i panjohur.

Në muajin dhjetor 29 veta humbën jetën nga një zjarr në një ndërtesë tetë katëshe në qytetin Jecheon. Ai ishte zjarri me vdekjeprurës në vend para këtij të fundit në spital.