Zimbabve: Partia në pushtet shkarkon kryetarin Mugabe

E publikuar: 19/11/2017 18:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia në pushtet në Zimbabve shkarkoi sot udhëheqësin e saj, Presidentin e vendit Robert Mugabe, dhe emëroi kryetar të ri Zëvendës Presidentin Emmerson Mnangagwa, i cili ishte shkarkuar vetëm një javë më parë nga Presidenti Mugabe. Forumi drejtues përjashtoi nga radhët e partisë edhe Grace Mugaben, bashkëshorten e presidentit. Partia gjithashtu po ushtron trysni ndaj tij që të japë dorëheqjen deri të hënën në mesditë , ose përndryshe të përballet me procedurën e shkarkimit.

Udhëheqësit e partisë në pushtet ZANU-PF shkarkuan kryetarin Mugabe dhe përjashtuan nga partia edhe bashkëshorten, Grace Mugabe, e cila ishte kryetare e forumit të grave të partisë.

Gjithashtu, opozita njoftoi se nëse zoti Mugabe nuk tërhiqet nga posti i presidentit, atëherë ekziston mundësia e shkarkimit të tij nëpërmjet hetimit parlamentar, dhe se për këtë qëllim ajo i ka ofruar bashkëpunimin partisë në pushtet.

Dje, mijëra banorë të Zimbabves protestuan dhe marshuan drejt rezidencës së zotit Mugabe duke kërkuar dorëheqjen e tij. Demonstruesit u afruan rreth 200 metra pranë rezidencës së presidentit, ku u ulën në tokë pasi nuk u lejuan të vazhdonin më tej nga forcat e ushtrisë.

Rezidenca shtetërore është vendi ku zoti Mugabe është mbajtur nën arrest shtëpie dhe ku janë zhvilluar negociata për largimin e tij.

Nipi i presidentit, Patrick Zhuwao, i tha dje agjensisë së lajmeve Reuters, se çifti presidencial është gati “të vdesë për të mbrojtur të drejtën”, dhe se Presidenti Mugabe nuk ka asnjë synim të dorëhiqet duke e bërë kështu të vlefshëm atë që e quan grusht shteti.

Në të shkuarën, ushtria ka ndaluar demonstrata të ngjashme në kryeqytet, por tashmë ajo mbështet protestuesit duke i orientuar drejt sheshit historik “Zimbabwe Grounds”. Në të njëjtin shesh, u mirëprit në vitin 1980 kthimi në vend i zotit Mugabe, pas luftës për çlirimin nga qeverisja e minorancës së bardhë.

Që nga ajo kohë, Mugabe ka qeverisur Zimbabven dhe ka shtypur lëvizje të ndryshme kundër tij, shpesh duke përdorur ushtrinë, policinë dhe dhunën fizike për të intimiduar kundërshtarët. Pika e rënies së pushtetit të tij duket se ishte vendimi për të shkarkuar Zëvendës Presidentin Mnangagwa, një 75-vjeçar veteran i luftës çlirimtare, i cili gëzon mbështetje të gjerë.