Zidane: Reali nuk shet por i blen yjet e futbollit

E publikuar: 29/10/2015 13:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zinedine Zidane e bën të qartë: Reali i Madridit nuk është një klub vitrinë nga ku rivalët mund të shkëpusin lojtarët më të mirë të kësaj skuadre. Bale dhe Cristiano Ronaldo po përfliten si emrat e radhës që do të zhvendosen në Premier League, por ish mesfushori francez që prej vitesh është pjesë e projektit të Perez, mohin gjithçka duke theksuar se Reali është një klub që afron dhe nuk largon më të mirët. Zidane u bë lojtari më i shtrenjtë i botës në vitin 2001 kur Reali pagoi rreth 60 milionë për ta shkëputur nga Juventusi, një politikë që klubi spanjoll e ka ndjekur edhe gjatë viteve në vazhdim me blerjen e Cristiano Ronaldos dhe Gareth Bale.

“Gjërat që shkruhen për lojtarët e mëdhenj ngjallin më shumë interes, prandaj mediat vazhdojnë të shkruajnë për ta. Përse do t’i shiste Reali i Madridit lojtarët më të mirë të botës? Ronaldo nuk është në shitje, një gjë e tillë nuk ka aspak kuptim. Sigurisht që shumë klube dëshirojnë edhe Gareth Bale pasi ai është gjithashtu një nga më të mirët në botë por si ai ashtu edhe klubi e ka bërë të qartë se e ardhmja e tij është në Madrid. Ne blejmë lojtarët më të mirë të botës, nuk i shesim ata”.

Një deklaratë që synon t’u japë fund zërave për një afrim të mundshëm të Cristiano Ronaldos me ish skuadrën e tij, Manchester United por edhe me Paris Saint Germain që i ka premtuar një pagë faraonike. Në qëndër të vëmendjes është edhe Gareth Bale i cili u transferua në Madrid gjatë vitit 2013 për rreth 100 milionë Euro por nuk e ka justifikuar besimin e drejtuesve “merengues”, duke rizgjuar interesin e Louis Van Gaal.