Zhvillime dramatike, Isa Mustafa fton në takim Ramush Haradinajn dhe Shpend Ahmetin

E publikuar: 18/08/2019 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokartike të Kosovës, Isa Mustafa i ka ftuar në takim, për të hënën, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn dhe atë të PSD-së, Shpend Ahmetin.

Një ftesë të tillë e kanë konfimuar burime brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga AAK kanë thënë për Periskopin se qëllimi i ftesës së Mustafës për Haradinajn dhe Ahmetin është shqyrtimi i mundësisë për lidhjen e një koalicioni parazgjedhor mes këtyre tri subjekteve politike.

Tashmë dihet se AAK dhe PSD janë shumë pranë një marrëveshjeje për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme, data e të cilave pritet të caktohet pas seancës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës që është caktuar të mbahet më 22 gusht.

Përndryshe, AAK dhe PSD është e pritshme që jo më larg se nesër, të hënën, të formalizojnë koalicionin e tyre parazgjedhor.

Edhe pse gjasat janë minimale që të ketë ndonjë marrëveshje me LDK’në, burime të Periskopit kanë treguar se ende nuk e kanë të qartë se me çfarë oferte konkrete do të dalë Mustafa për Haradinajn dhe Ahmetin.

Deri më tani LDK ka shfaqur një afri me Levizjen Vetëvendosje, por që shihet më shumë si ofertë e njëanshme nga lideri i VV-së, Albin Kurti.

Por, mundësinë e një koalicioni mes VV-së dhe LDK-së duket se e bën të vështirë çështja e kandidatit për kryeministër, meqë që të dy partitë synojnë që kandidatin ta kenë nga radhët e partisë së tyre.

Por, nuk është vetëm çështja e kandidatit për kryeministër që i ndanë këto parti, por janë edhe çështje të tjera si në rrafshin politik dhe ekonomik, për të cilat kanë dallime fondamentale.

Edhe pse, kur është në pyetje çështja e interesave politike dhe mundësisë së ardhjes në pushtet që të gjithë partitë politike në vend kanë treguar se i qesin në harresë dallimet ideologjike a politike, qoftë edhe armiqësitë mëparshme që mund t’i kenë pasur.

Sidoqoftë, nëse LDK – AAK – PSD arrijnë të kenë ndonjë marrëveshje për koalicion parazgjedhor kjo do të ndryshonte komplet raportin e forcave politike që synojnë të marrin pushtetin pas zgjedhjeve të parakohshme.

Nëse këto tri parti arrijnë pajtueshmëri mes tyre gjasat që ky koalicion të jetë fitues i zgjedhjeve janë pothuajse të sigurta.

Kjo do të vështirësonte tej mase hesapet elektorale të dy partive të tjera të mëdha, PDK-së dhe VV-së, dhe nuk dihet se me çfarë reaksione dhe veprime do të përcilleshin tek to.

PDK-së i mbetet mundësia që asaj t’i bashkohet NISMA e Fatmir Limajt, ndërsa VV-ja mund të mbetet sërish e vetmuar.

VV-së që i ka varur shpresat shumë tek LDK-ja e Mustafës, duket se po i përsëritet historia. Ajo do të mbetet e braktisur për të dytën herë nga kjo parti, njësoj si në kohën e VLAN-it, në vitin 2014.