Zharku: Kompania e Devollëve fiton miliona duke qenë monopol, menjëherë të shfuqizohet udhëzimi administrativ

E publikuar: 28/06/2019 12:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, në seancën e sotme të jashtëzakonshme ka pasur kritika për udhëzimin administrativ, i cili i përcakton kushtet për homologim të mjeteve rrugore në Kosovë.

Ai ka treguar se si Eurolabi mori të drejtën ekskluzive që të kryejë të gjitha shërbimet e homoligimit duke qenë monopol në Kosovë.

“Gjeneza e homologimit është marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar në vitin 2008 në mes Ministrisë së Transportit dhe Postë-telekomunikacionit dhe kompanisë Eurolab. Marrëveshja është shumë e shkurtër, bile as nene nuk ka e cila bazohet në dy çështje. Në njërën anë Eurolab obligohet që të investojë dhe të finalizojë të gjitha përgatitjet teknike ku përfshihet stafi profesional të kualifikuar dhe trajnuar sipas standardeve të BE-së. Në anën tjetër Ministria i ka dhënë Eurolabit të drejtën ekskluzive që të kryejë të gjitha shërbimet e homologimit”, ka thënë Zharku.

“Gjatë kohës sa kam udhëheqë me këtë Ministri nuk më është dhënë asnjë vlerësim apo analizë, si janë përcaktuar çmimet e përcaktuara nga Eurolabi për homologimin e automjeteve”, shtoi Zharku.

“Udhëzimi administrativ ka paraparë autorizimin të vetëm një institucioni për homologimin e automjeteve kurse para nënshkrimit të kontratës Ministria nuk ka shpallë procedura të tenderimit duke shmangë në këtë formë konkurrencën dhe duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie”, tha Zharku në foltoren e Kuvendit.

Ai, gjithashtu, tregoi edhe shumën që përfiton Devolli duke qenë monopol në këtë biznes.

Në aspektin financiar aktualisht arrin shumën 3.5 deri në 4 milionë euro në vit që paguhen nga qytetarët tanë.

Ai ka thënë se ky udhëzim administrativ cenon edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Zharku propozoi edhe veprimet e ardhshme që duhet të merren sa i përket udhëzimit administrativ që ka të bëjë me homologimin e veturave.

“Menjëherë të shfuqizohet udhëzimi administrativ 2/2018 për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore i Ministrisë së Infrastrukturës. Në afat prej dy muajve të hartohet dhe të hyjë në fuqi udhëzimi i ri administrativ, i cili do të jetë në përputhje me ligjin për automjete, ligjin për mbrojtje të konkurrencës dhe rekomandimet e zyrës së BE-së. Si dhe deri në fund të vitit 2019 të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve”, shtoi ai. /GazetaExpress/