Zhaniq: Serbia s’e ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj komandantëve që kanë bërë krime në Kosovë

E publikuar: 16/05/2019 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria serbe për krime lufte nuk ka iniciuar asnjë hetim kundër aktorëve me rang të lartë përgjegjës për krime lufte në Kosovë, ka deklaruar sot Ivana Zhaniq nga Fondi për të Drejtën Humanitare gjatë paraqitjes së raportit për gjykimet për krime lufte në Serbi.

Prokuroria për Krime lufte nuk ka qenë efikase, ka thënë ajo duke pohuar se Prokuroria nuk po ngrit aktakuza kundër kriminelëve të rangut të lartë në aparatin shtetëror.

Ministria e Mbrojtjes boton libra të ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm Nebojsha Pavkoviq, të dënuar për krime lufte, ka thënë ajo.

Në prezantimet e ditarëve të luftës të Pavkoviqit nuk ka pasur qortime, por janë glorifikuar meritat e tij gjatë luftës në Kosovë, ka theksuar Zhaniq, njofton FoNet.

Ajo ka vlerësuar se në Serbi nuk ekziston përkrahja e sinqertë për dënimin e krimeve të luftës.

“Glorifikimi i krimeve të luftës, mohimi i asaj që është bërë, numri i vogël i aktakuzave në Serbi, mbyllja e Prokurorisë ndaj medieve flet për pushimin e gjykimeve për krime lufte”, ka thënë Ivana Zhaniq.

Ajo, transmeton Koha.net, ka deklaruar se Prokuroria për krime lufte Snezhana Stanojkoviq i ka nëntë zëvendës dhe numër të shtuar bashkëpunëtorësh e ndihmësish, porse sivjet nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

Zhaniq ka vlerësuar se rezultatet e sivjetme të Snezhana Stanojkoviq “janë më se modeste”.

“Gjatë mandatit të saj nuk është ngritur asnjë aktakuzë me lëndë më komplekse. Ka mbyllur dyert e Prokurorisë për çfarëdo bashkëpunimi. Nuk paraqitet në medie, nuk ka raporte pune”, ka thënë Zhaniq duke pohuar se situata është alarmante.

Sipas fjalëve të saj, në Serbi ekziston botëkuptimi se me pushimin e punës së Tribunalit të Hagës ka përfunduar edhe detyrimi i Beogradit për të proceduar krimet e luftës.

“Kjo nuk është e vërtetë. Asnjë komandant i brigadave për të cilat Fondi i Drejtës Humanitare ka dëshmi se ka marrë pjesë në krimet e bëra në Kosovë, nuk është proceduar para gjykatës së Serbisë”, ka thënë Zhaniq.

Ajo ka shtuar se Prokuroria për Krime lufte nuk procedon personalitetet me rang të lartë me qëllimin që “t’i mbrojë heronjtë serbë që e kanë mbrojtur popullin e pafajshëm serb bë Kosovë”.