Zgjedhjet në komunat me shumicë serbe nuk ka përmbushur standardet evropiane

E publikuar: 26/10/2017 12:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Misioni vëzhgues i BE-së ka shprehur kënaqësinë se zgjedhjet lokale të 22 tetorit në Kosovës kanë kaluar në atmosferë të qetë në pjesën më të madhe të Kosovës, ndërkohë që ka shprehur shqetësimin se procesi zgjedhor në komunat me shumicë serbe nuk ka përmbushur disa nga standardet evropiane për zgjedhje demokratike.

Në një komunikatë për media të Ambasadës britanike në Prishtinë thuhet se Misioni vëzhgues i BE-së ka identifikuar një model të vazhdueshëm, të bashkërenduar dhe shqetësues të kërcënimeve brenda zonave me shumicë serbe të Kosovës, drejtuar kundër kandidatëve që konkurronin kundër Listës Serbe.

“Kjo përfshin presionin mbi kandidatët individualë për t’u tërhequr, duke ngritur pyetje rreth parimeve kryesore të procesit të përgjithshëm demokratik në ato fusha. Dobësitë e vazhdueshme në procesin zgjedhor gjithashtu u vërejtën në mënyrë të përsëritur nga Misioni që nuk ishin adresuar mjaftueshëm përpara këtyre zgjedhjeve. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve relevantë nga të gjithë spektri politik dhe komuniteti që t’i adresojnë këto mangësi pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në deklaratë.

Ambasada britanik ka bërë të ditur se një raport përfundimtar që përmban rekomandime për përmirësimin e kornizës më të gjerë zgjedhore, do të publikohet nga misioni vëzhgues evropian pas përfundimit të procesit zgjedhor aktual, duke përfshirë raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Këto rekomandime do t’i ndihmojnë autoritetet e Kosovës në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kuadrin zgjedhor, duke përmirësuar dhe konsoliduar më tej qeverisjen dhe institucionet demokratike. BE është plotësisht e përkushtuar që të mbështesë autoritetet e Kosovës në këto përpjekje, duke përfshirë një projekt rajonal të zbatuar nga ODIHR.