Zgjedhjet nacionale do të ndikojnë zgjedhjet lokale, bastionet politike mite

E publikuar: 29/06/2017 12:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qytetarët e Kosovës me 22 tetor do tu drejtohen edhe njëherë kutive të votimit. Mirëpo, kësaj radhe në zgjedhjet për organet vetëqeverisëse lokale. Por a pritet ndëshkimi i njëjtë i qytetarëve për partitë politike sikur në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 qershorit.

Sipas analistit politik, Behlul Beqaj, zgjedhjet nacionale do të ndikojnë edhe në zgjedhjet lokale si për të mirë ashtu edhe për dështime.

“Zgjedhjet nacionale me inercion do të ndikojnë edhe  në zgjedhjet lokale, si për të mirë ashtu edhe për dështime. Pra, në njërën anë, do të vazhdojë zhgënjimi, në anën tjetër, do të vazhdojë besimi dhe shpresa. Meqë  qytetarët ende nuk janë në lartësinë e vlerësimit politik të gjendjes reale, mundësive reale, pengesave reale dhe dobësive subjektive”, ka thënë Beqaj për Indeksonline.

Beqaj me tutje ka shtuar se ka filluar ngritja e vetëdijes politike të qytetarëve dhe bastionet politike të partive nëpër komuna po shndërrohet në mit. Sipas tij nëse shkojnë liderët politik në zgjedhje më këtë pritje do të dështojnë.

Behlul Beqaj

“Qytetarët kanë filluar të zgjedhin e jo ti “qesin kokrrat pse ka vendosur kryeplaku i katundit”. Pra, bastionet po bëhen pjesë e kujtesës, ndonëse edhe  një dy–tri palë zgjedhje do të stigmatizohen si të tilla. Prandaj, nëse liderët politikë shkojnë në zgjedhjet lokale më këto pritje, do të përjetojnë zhgënjimin e rrallës. Qytetarët po kërkojnë zgjidhjen konkrete për nevojat, interesat dhe kërkesat tyre reale. Prandaj politikanët duhet të kuptojnë se vetëm me propozime programore dhe kadrovike kualitative mund të llogarisin në fitore. Në rastin e kundërt do të bëhen varrmihësit e bastioneve partiake, partisë dhe vetes”, është shprehur Beqaj.

Ndërsa, mbajtjen e zgjedhjeve lokale ai e ka komentuar si shumë konkrete.

“Nëse përzgjidhet kuadri kualifikuar, kualitativ dhe autoritativ mund të krijohen programet  adekuate me të cilat mund të njihen qytetarët e interesuar. Nëse shkohet më kalkulime të kombinimeve partiake, klanore, konformiste, akejiste…shpresoj se një orientim i tillë do t’i dëmtoj edhe më shumë partitë polikë dhe liderët partiak që nuk veprojnë në kuadër të duhmit të kohës”, ka thënë në fund analisti Beqaj.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj thotë se ndëshkimi i qytetarëve varet se kush do të  jenë kandidatët e partive politike nëpër komuna. Ndërsa, për bastione thotë se qytetarët më nuk e japin votën aq lehtë.

“Zgjedhjet lokale janë më specifike dhe rezultatet e zgjedhjeve nacionale nuk mund të “përkthehen” në shifra të njëjta edhe për ato lokale. Varet shumë se cilët do të jenë kandidatët e partive politike për komuna. Emrat dhe integriteti i kandidatëve do të jenë shumë të rëndësishëm në gjykimin e qytetarëve. Por inercia, trendi i ndryshimit do të vazhdojë – kjo është e sigurt. Bastionet tashmë janë shembur seriozisht dhe qytetarët më nuk i japin votat aq lehtë. Andaj, partitë politike duhet të ofrojnë programe të qarta e praktike, programe të realizueshme nëse dëshirojnë të fitojnë në zgjedhjet lokale”, ka thënë Mushkolaj në përgjigjen e tij për Indeksonline.

Imer Mushkolaj

Ndryshe, në mbështetje të nenit 4 të Ligjit Nr.03/L–072 për Zgjedhjet Lokale, nenit 6 të Ligjit Nr.03/L–094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, pas konsultimit me partitë politike, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet lokale të mbahen më 22 tetor 2017.

Presidenti ka udhëzuar poashtu Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në përputhje me vendimin e tij dhe legjislacionin në fuqi./