Zëvendësministrat ankohen se punojnë shumë por s’po i përcjellin mediat (Video)

E publikuar: 05/05/2018 22:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë më shumë se 70 zëvendësministra në Qeverinë e Kosovës. Ka pasur shumë kritika se gjithë këta zyrtarë s’kanë çfarë bëjnë në institucione. Por, tre prej tyre, thonë se kanë shumë punë. Madje, Gjergj Dedaj i Punëve të Jashtme akuzon mediat se i kanë harruar Zëvendësministrat.

Është mandati i tij i tretë në ulësen e zëvendësministrit. Por, tash, Gjergj Dedaj i Punëve të Jashtme po thotë se nuk qëndrojnë kritikat e opozitës dhe shoqërisë civile se Zëvendësministrat nuk po punojnë.

Ai po thotë se në institucione po ndodh e kundërta. Niveli i dytë nëpër Ministri po punojnë, por Dedaj, thotë se aktiviteti i tyre s’po del në media.

Fare pak media apo hiq i publikojnë takimet të cilat unë i kam zhvillu shembull para dy javëve kam marrë pjesë në konferencën për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në parlamentin evropian, ku ishte edhe Johanes Ren, por fatkeqësisht asnjë medium nuk e ka publiku.

Qeveria e Kosovës, prej pasluftës, është më e madhja sa i përket numrit të anëtarëve të kabinetit.

Pavarësisht kësaj, Zëvendësi i Behgjet Pacollit thotë se të jetë i bindur se e arsyeton pagën që e merr nga kuleta e shtetit. Madje, Gjergj Dedaj e krahason vetën me Rugovën kur flet për takime me ndërkombëtarët.

Edhe një koleg i Gjergj Dedajt tregon për punën e Zëvendësministrave. Rexhep Kadriu i Infrastrukturës thotë se për çdo ditë kryen punë të ndryshme që koordinohet me Pal Lekajn.

Unë gjatë ditës vizitoj dy tri projekte, varësisht nga lokacionet të cilat janë dhe të gjitha këto projekte në fund të ditës i raportojmë ministrit Pal Lekaj.

Për dallim prej Dedajt e Kadriut, një Zëvendësministër tjetër ka kritika për kolegët e tij. Faruk Nura thotë se jo të gjithë zyrtarët e Shtetit janë punëtor.

Të tre këta Zëvendësministra por edhe të tjerët i ka obliguar Ramush Haradinaj që të hartojnë raporte për punën 100 ditore. Disa i kanë dërguar raportet në Qeveri.

Koordinatorin Nacional të Reformave Shtetërore, Besnik Tahirin,  ka konfirmuar për T7 se raportet nuk i kanë dorëzuar vetëm ata që nuk i kanë mbushur 100 ditë të punës.