Zëvendëskryeministri Thaçi në samitin anti-ekstremizëm në Vjenë

E publikuar: 19/03/2015 18:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të marrë pjesë në samitin “Të luftojmë xhihadizmin bashkërisht” në Vjenë të Austrisë.

Ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore po mblidhen në këtë samit për të harmonizuar veprimet dhe rritur shkallën e koordinimit në luftën e përbashkët kundër ekstremizmit.

Nikoqirë të tyre do të jenë ministri jashtëm dhe i brendshëm i Austrisë, Sebastian Kurz dhe Johanna Mikl-Leitner, kurse pjesëmarrës përpos zëvendëskryeministrit Thaçi, do të jenë edhe ministrat e jashtëm dhe të brendshëm të shumicës së shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilët do të dalin edhe me një qëndrim të përbashkët për luftën kundër ekstremizmit në përgjithësi.

Gjithashtu, në këtë samit do të përfaqësohet edhe Bashkimi Evropian me Komisionerin për Migrim, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë në Komisionin Evropian. Kurse, pjesëmarrës të tjerë do të jenë edhe koordinatori i BE-së për luftën kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove, drejtori i Agjencisë së BE-së për të drejtat themelore, Morten Kjaerum dhe zëvendësdrejtori i Europol-it, Oldrich Martinu.

Ministrat e brendshëm dhe të jashtëm të Ballkanit Perëndimor, Austrisë dhe Italisë, përmes këtij samiti do të ngritin zërin kundër problemeve në Ballkanin Perëndimor, i cili po shërben si rrugë tranziti dhe si hapësirë e rekrutimit të terroristëve në luftërat e huaja.