Zëvendëskryeministri Hoxhaj: S’ka fuqi shpirtërore Kurti për ta formuar Qeverinë Kurti

E publikuar: 31/01/2020 11:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i kryesisë së Partia Demokratike e Kosovës (PDK), njëherësh zëvendëskryeministër në detyrë, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar se në asnjë variant dhe formulë nuk do të jenë pjesë e qeverisë së ardhshme.

Hoxhaj ka akuzuar të nominuarin për kryeministër, Albin Kurtin, se nuk po ka vullnet politik e as fuqi shpirtërore për ta formuar Qeverinë e Kosovës.

“Mendoj që partia e parë e cila ka më së shumti ulëse në Kuvendin e Kosovës dhe kjo është Vetëvendosja dhe mandatari z. Kurti e kanë përgjegjësinë kryesore për formimin e qeverisë së Kosovës. Ne si PDK kemi fituar të gjitha zgjedhjet nga viti 2007 deri në vitin 2017 dhe ne e dimë që ka qenë detyrë e partisë së parë që të ulet të negocion që të gjejë zgjidhje, të bëjë kompromise me qëllim që vendi realisht të ketë qeveri sa më parë. Por kjo se çfarë po ndodh tregon që përgjegjësinë kryesore e ka VV-ja dhe z. Kurti pasi që ata e kanë marrë konfirmimin prej presidentit si mandatar dhe duket që nuk po gjen as vullnet politik po as fuqi shpirtërore që ta bëjë një zgjidhje me një partner të koalicionit”, thotë ai.

Përgjegjësia kryesore dhe ekskluzive sipas Hoxhajt për formimin e qeverisë i takon partisë që mori më së shumti deputetë në Kuvendin e Kosovës.

“Qëndrimi i PDK-së është i prerë mbetet në opozitë, këtë e kemi thënë menjëherë pasi që është shpallur rezultati zgjedhor. PDK-ja nuk hyn në asnjë formulë qeverisëse dhe ne ju kemi shërbyer qytetarëve për 12 vjet duke qenë në qeveri dhe mendojmë që është në interes të PDK-së që të mbetemi në opozitë. Kjo është e shkruar në gur dhe nuk ndryshon asgjë. Kush i ka fituar zgjedhjet e ka obligim ta formojë qeverinë, nëse ka formula të tjera po ashtu ne jemi të prerë dhe të vendosur që të mos jemi pjesë e këtyre formulave qeverisëse. Ne mbesin më opozitë”, thotë ai.

Hoxhaj ka komentuar edhe takimin e Kurtit me Listën Serbe, duke kërkuar nga mediet që të zbardhin deklaratat e tij ndër vite për të gjitha temat e mundshme.

“Unë nuk i kam marr kurrë seriozisht akuzat e Kurtit përkitazi me Listën Serbe, ndërsa sot ju takon juve medieve që të raportoni se çfarë ka thënë nëpër vite Kurti për të gjitha temat e mundshme”, thotë ai.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka komentuar edhe vizitën e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell.

Hoxhaj po e quan gabim mostakimin e Borrellit me përfaqësuesit e qeverisë, konkretisht kryeministrin Haradinaj.

“Mendoj që zoti Borrel gjatë vizitës së tij në Kosovë e cila është shumë e mirëseardhur dhe natyrisht që kemi një partneritet strategjik me Bashkimin Evropian ka bërë dy hapa të gabuar, hapi i parë ka qenë në formë. Ne mendojmë që përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme do të duhej t’i takon liderët e partive politike, por do të duhej t’i takon edhe përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës”.

“Mungesa e vullnetit të tij që të vjen dhe ta takon Kryeministrin Haradinaj të qeverisë së Kosovës natyrisht që është gabimi i parë i tij në formë por edhe disa prej deklaratave që i ka dhënë gjatë ditës së sotme ku flet për Kosovën sikur Kosova të ishte para vitit 2008 nuk janë në përputhje me sjelljen që e ka pasur më herët edhe zonja Mogerini edhe zonja Eshton. Zonja Mogerini dhe zonja Ashton çdoherë kanë ardhur në Qeverinë e Kosovës kanë takuar kryeministrin e Kosovës kanë takuar edhe liderët e partie politike, prandaj edhe për neve është e papranueshme një qasje e tillë e Bashkimit Evropian se si e trajton Kosovën”, thotë ai./EO/