Zëvendësja e Vucic sulmon ashpër Nikolicin: Ai e di pse nuk kemi ushtri në Kosovë

E publikuar: 17/01/2017 17:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në Qeverinë e Serbisë, Zorana Mihajlovic, ka thënë se “nga zyrtarët më të lartë të shtetit pritet që të përgjigjen me qetësi dhe urtësi ndaj provokimeve të Prishtinës”.
Komunikata i është dërguar Presidentit, Tomsilav Nikolic, dhe në titull thuhet se është një ” reagim i ashpër ndaj Nikolic, sepse ai sulmoi Qeverinë serbe”, raporton agjensia Tanjug.

Ministrja vuri në dukje se ajo nuk pret që Presidenti Nikolic “të akuzojë Qeverinë” pse nuk ka kërkuar kthimin e trupave serbe në Kosovë.

“Ajo që nuk pres është që Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, të akuzojë Qeverinë e Serbisë, e cila nuk e ka kërkuar kthimin e trupave serbe në Kosovë. Sepse unë jam e bindur se Presidenti e di shumë mirë se pse ushtarët tanë nuk janë në Kosovë”, vuri në dukje në deklaratë Zorana Mihajlovic.

Ajo shtoi se nga Presidenti i Serbisë nuk pritet që të thotë se Qeveria e Serbisë do të heshtë për vrasjen e mundshme të serbëve në Kosovë dhe se për shkak të kësaj, disa muaj para zgjedhjeve, kërcënon me dorëheqjen e tij.

“Nga të gjithë politikanët në Serbi, veçanërisht nga zyrtarët më të lartë të shtetit pres që nga provokimet që vijnë nga politikanët shqiptarë të Kosovës të përgjigjën qetë dhe urtë. Pres që të mos përdorin serbët e Kosovës në fushatat e tyre dhe me deklarata të kontribuojnë në qetësimin e tensioneve, të mos nxisin konflikte të reja”, vuri në dukje Mihajlovic.

Ajo theksoi se “politikanët në Serbi pritet që të sillen pikërisht si Kryeministri, Aleksandar Vucic, i cili i është përgjigjur provokimeve të shqiptarëve dhe parandaloi konfliktet në Kosovë, për ç’gjë ai është falënderuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Frederica Mogherini.

Sipas saj, “Qeveria e Serbisë është duke bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe do të bëjë gjithçka për të ruajtur sigurinë e qytetarëve të saj në Kosovë dhe Metohi dhe për të parandaluar ndonjë konflikt, duke theksuar se ‘është e bindur se këtë e di shumë mirë Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic’”./GazetaExpress/.