Zënkat mes partive hapin debatin për (mos)funksionimin e qeverisë teknike

E publikuar: 23/02/2020 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përplasjet mes anëtarëve të qeverisë teknike nga radhët e LSDM-së dhe VMRO DPMNE-së, kanë ngritur debatet mbi efikasitetin e qeverisë teknike apo nevojën për ndryshime në Ligjin për qeverinë.

Për shkak të mosrespektimit të Marrëveshjes për emrin me Greqinë, me kërkesë të kryeministrit teknik Oliver Spasovski, që është nga Lidhja Social Demokrate, Kuvendi para shpërndarjes shkarkoi Ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Rashella Mizrahi, që është nga VMRO DPMNE-ja.

Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev që është nga VMRO-ja ka bërë dhjetëra shkarkime nga detyra të zyrtarëve të afërt me LSDM-në, por vendimet e tij janë anuluar me shumicë votash nga qeveria ku dominon LSDM-ja.

Zënka të përcjella me tensione ka pasur edhe në ministritë tjera, ku zëvendësit janë nga radhët e opozitës.

Kjo mënyrë e funksionimit të këtij modeli të qeverisë, e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinës e që formohet 100 ditë para zgjedhjeve me qëllimin organizimin dhe mbarëvajtjen e tyre, jo vetëm që po tregohet joefikase, por edhe po shihet si nxitëse e tensioneve e krizave politike.

VMRO DPMNE-ja paralajmëron se pas zgjedhjeve do të iniciojë shqyrtimin e rolit të qeverisë në ciklet e ardhshme zgjedhore.

“Qëllimi i tyre është që të prishin qeverinë teknike, ndërsa qëllimi jonë është që atë ta forcojmë. Pas zgjedhjeve, dëshirojmë që të forcojmë mekanizmat për të garantuar efikasitet më të lartë të këtij modeli të qeverisjes”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Por, nga LSDM-ja thotë se gjithçka po funksionon sipas ligjit dhe se nuk bëhet fjalë për presione, apo shkarkim të paligjshëm të ministres nga radhët e opozitës.

“Qeveria teknike ka mandat që të sigurojë zgjedhje fer dhe demokratike dhe të gjithë duhet të fokusohen në këtë prioritet kryesor të kësaj qeverie. Kthim pas nuk do të ketë. Ministrja Rashella Mizrahi shkeli Kushtetutën, nuk respektoi emrin e ri të shtetit të vendosur në bazë të një marrëveshjeje që garanton të ardhme për vendin”, ka deklaruar deputetja e LSDM-së, Jagoda Shhpanska.

Megjithatë, edhe njohësit e çështjeve politike kanë vërejtje mbi funksionimin e qeverisë. Madje, profesoresha e Fakultetit Juridik në Shkup, Mirjana Najcevska, thotë se modeli i këtillë i qeverisë duhej të ishte i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e vitit 2016, dhe jo të imponohej si një zgjidhje e përhershme.

“Për momentin, me këtë lloj të formimit të qeverisë para zgjedhjeve, ne pranojmë ose supozojmë se institucionet nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet, apo se ne nuk kemi masa mbrojtëse adekuate që mund të sigurojnë zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Me një qeveri të këtillë ne thjesht po themi se nuk jemi të pjekur për zgjedhje normale, prandaj edhe e kemi formuar një qeveri të këtillë. Ajo vlerësoj se duhet të funksiononte vetëm se në zgjedhjet e vitit 2016 kur vendi ishte në krizë të thellë politike”, thotë Najcevska.

Edhe ish-deputeti Naser Ziberi, njohës i çështjeve juridike, thotë se modeli i tanishëm u imponua nga rrethanat e kohës, por ai nuk mund të qëndrojë si një zgjidhje e përhershme.

“Shkarkimi i Mizrahit nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vetëm se i jep mundësinë çdo shumicë në të ardhmen të përsëris të njëjtën gjë. Kjo do të dëshmojë se një qeveri e tillë është jofunksionale. Në fund të fundit, ajo dispozitë ishte bërë për atë periudhë, por shumica e tanishme parlamentare, nuk e di për çfarë arsye, e shndërroi atë në një zgjidhje të përhershme në Ligjin për Qeverinë dhe Kodin Zgjedhor “, thotë Ziberi.

Marrëveshja e Përzhinës e cila ka paraparë formimin e qeverisë teknike ishte arritur me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtar, të cilët një model të këtillë qeverisës e kanë paraparë edhe në ciklet e ardhshme zgjedhore, që të garantojë zgjedhje të lira, të pranueshme nga të gjitha partitë.