Zemaj thotë se faza e tretë e lehtësimit të masave bart rrezikun e përhapjes së virusit

E publikuar: 09/06/2020 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komiteti për menaxhimin e COVID-19 ka diskutuar sot masat e ndërmarra në Kosovë për menaxhimin e pandemisë. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se rënia e disiplinës në ditët e fundit ka shkaktuar rritjen e rasteve me koronavirus në vend

Zemaj ka thënë se faza e tretë e lehtësimit të masave bart rrezikun e përhapjes së mëtejme të virusit.
“Sot jemi në një situatë tjetër, atë të zbatimit të fazës së tretë të hapjes graduale ekonomike, e cila kërkon rivlerësimin edhe të disa veprimtarive të cilat presin për t’u liruar. Kjo fazë, siç edhe është vërejtur, bart në vete rrezikun e përhapjes së mëtejme të virusit, pas një periudhe relativisht pozitive kur rastet me COVID-19 kishin rënë pothuajse në nivelin më të ulët”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe inspektoratet qendrore dhe komunale) që të jenë sa më të pranishme me inspektime në veprimtaritë e lejuara.

Zemaj ka thënë se rivlerësimi dhe vendimi për hapjen e veprimtarive të tjera si aeroportet, kufijtë, ahengjet, banjat rehabilituese, panairet, pishinat, klubet e natës, etj., duhet të shoqërohet me analiza të bazuara në indikator matës ku kontributin kryesor duhet ta jap IKSHPK, ashtu që secili vendim i marrë, të jetë i qëndrueshëm dhe në përputhje me situatën epidemiologjike.

“Është shumë e rëndësishme që të mos e lëmë asnjë mekanizëm pa e aktivizuara në funksion të menaxhimit të pandemisë, ushtrimi i përgjegjësive të plotë bazuar në ligje, IKSHPK e MASHT të bëjnë vlerësimin dy-javor të aktiviteteve të lejuara në fushën e edukimit dhe shkollimit në gjitha nivelet dhe vendimet të merren në koordinim të plotë e të gjitha institucionet, bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Zemaj.