Zemaj takon Ekipin e Kosovës të Kombeve të Bashkuara, vlerëson kontributin për pandeminë

E publikuar: 10/06/2020 16:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka pritur sot Ekipin e Kosovës të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) të kryesuar nga Urlika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e OKB-së në Kosovë.

Zemaj i ka njoftuar përfaqësuesit e të gjitha agjencioneve dhe entiteteve të OKB-së në Kosovë me vizionin e tij për drejtimin e sektorit të shëndetësisë, si dhe i ka falënderuar ata për bashkëpunimin dhe kontributin që kanë dhënë në sektorin e shëndetësisë.

Ai ka vlerësuar kontributin e UNKT-së në ndihmën dhënë sektorit shëndetësor për menaxhimin e pandemisë Covid-19, ndërkohë që ka shprehur përkushtimin e tij për vazhdimin e projekteve të përbashkëta në Kosovë.

I pari i shëndetësisë ka theksuar se rëndësi e veçantë do t’i kushtohet mbikëqyrjes së projekteve të cilat lidhen me shumë fusha brenda sektorit të shëndetësisë me qëllim që përfitues të këtyre projekteve të jenë të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

Ai ka shprehur përkushtimin për një bashkëpunim konkret dhe korrekt me UNKT-në me qëllim të avancimit të shërbimeve shëndetësore, rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në shëndetësi.