Zemaj: Situata pandemike vlerësohet më e lehtë, por lirim të masave s’do të ketë

E publikuar: 18/12/2020 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se kjo javë vlerësohet më e qetë sa i përket shtrirjes së infeksionit, derisa ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të ketë masa të reja antiCOVID.

Në konferencën e sotme, Zemaj tha se aktualisht në zonën e kuqe janë 11 komuna, ku javën e kaluar kanë qenë 16, në të verdhën 11 komuna dhe në zonën e gjelbër janë 16 komuna.

“Këtë javë situata vlerësohet më e qetë sa i përket shtrirjes së infeksionit. Nga 10 dhjetori e deri më 17 në nivel vendi janë raportuar 3 mijë e 555 raste pozitive nga 11 mijë 229 mostra të marra, ndërsa treguesi tjetër se kemi situatë më të qetë në raport me COVID-19 është edhe shkalla apo edhe kategorizimi i ri i komunave. Këtë javë në zonën e kuqe janë 11 komuna nga 16 sa ishin javën e kaluar, ndërsa ë zonën e verdhë kemi 11 komuna, kurse në zonën e gjelbër kemi tani 16 komuna. Në zonë e kuqe ajo që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë janë 11 komuna Prishtina, Zveçani, Zubin Potoku, Fushë Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Drenasi dhe Podujeva… Msh, IKSHPK bashkë me kryeministrin jemi duke përgatitur edhe masa të reja të cilat do të jenë në fuqi nga java e ardhshme. Masat të cilat pritet të merren janë në nivel vendi dhe jo për komuna veç e veç, por si çdo herë mediat dhe opinioni publik do të informohet me kohë rreth çdo vendimi të ri nga ana e ekzekutivit të ri. Kjo bëhet në bashkërendim të aktiviteteve edhe me kryetarët e komunave, shtabet emergjente, policinë dhe inspektoratet”, tha ai.

Në zonën e verdhë janë Kamenica, Kllokoti, Gjakova, Vitia, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaj, Shtërpca, Istogu dhe Ranillugu. Ndërsa, në zonë e gjelbër kanë kaluar 16 komuna, Gracanica, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Skenderaj, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Novobërda, Kaçaniku, Juniku, Dragashi dhe Mamusha.

Në prag të festave të fundvitit, Zemaj tha se nuk do të ketë lirim të masave.

“Lirim të masave nuk do të ketë, nëse e quajmë diçka shtrëngim apo kufizim, por jemi të kujdesshëm, jemi duke analizuar situatën ku mund të ketë lëvizje dhe ku mund të ketë shtrëngim në dukje të krejt asaj që të mos kemi grumbullim të njerëzve. I kemi koordinuar aktivitetet, kryeministri i ka takuar edhe Odat e bizneseve, unë kam takuar ekipet që ndërlidhen me aktivitet kulturore, me komunat, me klerikët fetar dhe kështu do të vazhdojmë edhe këto ditë deri në vendosjen e masave të cilat ne i shohim të arsyeshme për ta ruajtur shëndetin dhe për ta ulur numrin e infeksioneve”, tha ai.

Zemaj ka siguruar qytetarët se kanë ndërmarrë me kohë të gjitha masat dhe se vazhdojnë të jenë të angazhuar për sigurimin e vaksinës COVID-19.

Ai tha se qytetarët nuk do të mbesin pa u vaksinuar as për mungesë angazhimi dhe as për mungesë financiare, për çka tha se kanë opsione të mjaftueshme për të financuar dhe siguruar ato vaksina.

“Dëshirojmë t’iu sigurojmë juve, popullatë tonë që kemi ndërmarrë me kohë masat dhe jemi çdo ditë të angazhuar që Kosova t’i ketë sa më parë që ka mundësi këto vaksina, që shihen si opsion real për t’i dhënë fund pandemisë aktuale dhe për të kontrolluar infeksionin në terma afatgjatë. Si autoritete përgjegjëse në Kosovë jemi angazhuar në mënyrë aktive të sigurojmë sasi të mjaftueshme të vaksinës, për këtë çështje kemi formuar edhe komision për negocim, furnizim me vaksina kundër COVID-19 me këtë përbërje, Ardian Mehmetaj sekretar i përgjithshëm në MSH, doktor Valdet Hashani, prof.dr Lul Raka, Ardian Rugova, Avdyl Lokaj, Edita Haxhiu, Afërdita Hoxha, si dhe kemi formuar edhe grupin punues për definimin e nevojave për vaksinën COVID-19 nën kryesimin e doktor Arsim Çaverbasha. Siç e dini aleanca e vaksinave ka krijuar mekanizmin COVAX si partneritet me qëllim kryesor marrjen e vaksinave efektive me cilësi të lartë COVID-19 për të gjithë pjesëmarrësit pavarësisht nga gjendja ekonomike në të njëjtën kronologji kohore. COVAX do të sigurojë 20 përqind të vaksinave COVID-19 për 92 vende me të ardhura të ulëta, që vaksinën COVID-19 ta kemi në dispozicion në tre mujorin e parë të vitit 2021”, tha ai.

I pari i Shëndetësisë tha se janë duke zhvilluar edhe projektin për zinxhirin e ftohët të ri të ruajtjes së vaksinave në Kosovë duke e ditur se numri i vaksinave kundër COVID-19 do të jetë më i madh se numri i vaksinave kundër gripit sezonal.

Duke qenë se sot ka përfunduar gjysmëvjetori i parë në Kosovë, Zemaj tha se nga 15 shtatori e deri më sot janë testuar 10 mijë e 823 mësimdhënës.

“Deri tani kur sot po përfundon procesi mësimor nga 15 shtator e deri më sot janë testuar 10 mijë e 823 mësimdhënës prej tyre 1 mijë e 615 gjatë kësaj kohe kanë rezultuar pozitiv me përqindje 14.9 për qind dhe 6 mijë 792 nxënës prej tyre 1 mijë 173 kanë rezultuar pozitiv me shkallë 17.3 për qind, mesatarja totale 15.8 për qind.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik Naser Ramadani, ka prezantuar rezultatet për 24 orët e fundit, ku tha se 7 persona kanë vdekur dhe se janë 385 raste të reja pozitive.

Ai tha se numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë brengosës ani pse ka rënie të rasteve të reja, derisa ka bërë thirrje për respektimin e masave antiCOVID.

“Gjatë 24 orëve të fundit me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.442 mostra prej të cilëve rezultojnë 385 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 7 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Klinë 2 raste (80, 73 vjeç), Prizren 1 rast (76 vjeç), Deçan 1 rast (86 vjeç), Gjakovë 1 rast (69 vjeç), Gjilan 1 rast (64 vjeç), Graçanicë 1 rast (73 vjeç). Numri total i rasteve pozitive është 48.337 raste nga 169.653 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.240 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 351 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 35.790 raste, kurse numri i rasteve aktive është 11.307. Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 153 raste, Pejë 37 raste, Podujevë 34 raste, Ferizaj 30 raste, Gjakovë 19 raste, Fushë-Kosovë 15 raste, Gjilan 12 raste Vushtrri 10 raste, Drenas 9 raste, Istog 8 raste, Klinë 8 raste, Lipjan 8 raste, Obiliq 7 raste, Mitrovicë 6 raste, Prizren 6 raste, Suharekë 6 raste, Rahovec 4 raste, Kamenicë 3 raste, Viti 3 raste, Kaçanik 2 raste dhe me nga 1 rast komunat Deçan, Hani Elezit, Novobërdë, Shtime dhe Skenderaj”, tha ai.

Drejtori i ShSKUK-së Valbon Krasniqi, ka treguar se janë 795 pacientë që janë duke u trajtuar nëpër spitalet e Kosovës, ku tha se 51 prej tyre janë në gjendje të rënduar.

“Edhe më tutje spitalet tona janë të ngarkuara me pacientë, sot kemi saktësisht 795 pacientë që janë duke u mjekuar nëpër të gjitha spitalet tona anë e manë Kosovës dhe gjendja e përgjithshme e 51 prej tyre është shumë e rënduar, ne e quajmë gjendje kritike pasi ata janë të kyçur për respirator qoftë të intubuar. Furnizimi me produkte dhe medikamente të nevojshme vazhdon të jetë i qëndrueshëm me gjithë mungesat e herë pas hershme dhe mobilizimi i profesionistëve shëndetësor është më i lartë se kurrë për të vazhduar për të qëndruar afër të gjithë atyre të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor gjatë këtyre ditëve…(Fraksiparina)Vërehet mungesë në të gjithë tregun edhe në tregun privat edhe në shtet fqinje ka informata se ka mungesa të herë pas hershme të produkteve të caktuara. Me fraksiparinë ne kemi kontratë valide dhe presim që operatori të na furnizojë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Aktualisht në spitalet tona kanë dhe janë të furnizuar për momentin me këtë medikament”, tha ai.

Krasniqi ka folur edhe rreth masave që kanë ndërmarr pas raportimeve të mediave për lejimin e familjarëve në klinikat COVID.

“Kam shkarkuar menaxherin e kontratës së sigurimit fizik, pra është shkarkuar dhe është zëvendësuar me një menaxher tjetër. Kam kërkuar takim urgjent dhe kam kërkuar raport urgjent nga kompania me të cilën kemi kontratë dhe brenda 24 orëve ka marr raportin nga kompania. Ne nuk mund të suspendojmë punëtorët e kompanisë private, por ata na kanë njoftuar se përmes komisioneve të tyre diskiplinore kanë suspenduar zyrtarët të cilët nuk kanë qenë në nivel të kryerjes së detyrës, si dhe veprime të tjera operacionale brenda për brenda SHSKUK-së”, tha ai.

Lidhur me këtë temë, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se nuk ka një vendim se mund të lejohen familjarët në Klinikat COVID.