Zemaj dhe Prestreshi dakordohen për monitorim të procesit të testimeve në laboratorët privatë

E publikuar: 11/08/2020 10:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit që ka zhvilluar me kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi mori garancinë se procesi i testimeve për COVID-19 në laboratorët privatë të monitorohet nga ky autoritet.

Zemaj tha se institucionet private shëndetësore do monitorohen për caktimin e çmimit të shërbimeve për testime dhe se nuk do lejohet monopol.

“U dakorduam që të koordinohemi ngushtë që ky proces të zhvillohet duke respektuar politikat e konkurrencës për të mos lejuar monopol, si dhe t’iu bëjmë me dije të gjitha institucioneve të licencuara dhe të atyre që do të licencohen se ky proces do të monitorohet nga të gjitha autoritetet shtetërore vendimmarrëse. Edhe ashtu ne kemi deleguar kompetencën e kërkesës tek institucionet tona të brendshme siç janë Inspektorati Shëndetësor dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të bëjmë monitorimin e këtyre institucioneve. Dhe si ministër i Shëndetësisë i kërkova Autoritetit të Konkurrencës të monitorojë sjelljen e këtyre institucioneve lidhur me caktimin e çmimeve të këtij shërbimi”, theksoi Zemaj.

Kurse, kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka thënë se ky institucion do jetë i gatshëm që ta mbikëqyrë këtë proces.

Ai tha se kanë hasur edhe në disa dyshime për shkelje të konkurrencës për shitjen e dezinfektueseve dhe alkoolit për përdorim mjekësor.

“ Unë i ofrova ministrit Zemaj garanci se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të jetë në gatishmëri të plotë për ta mbikëqyrur këtë proces. Siç e dini që nga ditët e para kur ka filluar përhapja e pandemisë Autoriteti i Konkurrencës ka marrë të gjitha masat që ta parandalojë çfarëdo shkelje të mundshme të konkurrencës dhe në këtë kontekst gjatë muajit prill Autoriteti ka evidentuar dyshime për shkelje të konkurrencës në disa raste që kanë të bëjnë me shitjen e dezinfektuesve dhe alkoolit për përdorim mjekësor”, tha Prestreshi.

Nga kjo javë, 29 institucione private shëndetësore janë licencuar për të kryer teste për COVID-19 , 27 prej tyre do të kryejnë teste serologjike, kurse 2 teste PRC. /B.Ibishi/