Zbuloi skandalet e “Panama Papers”, shënimi i fundit i gazetares gjysmë ore para ekzekutimit

E publikuar: 17/10/2017 08:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Mashtrues e kriminelë kudo ku hidhni sytë, situata është dëshpëruese”. Ky ishte shënimi i fundit që gazetarja malteze Daphne Caruana Galicia, bëri në blogun e saj vetëm gjysmë ore para se të gjente vdekjen nga shpërthimi i një bombe që ia kishin vënë në makinë.

Mediet vendase duke raportuar detajet e fundit nga ngjarja shkruajnë se shënimi i saj në blogun, që ishte plot denoncime ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë familjen kryeministrore është bërë saktësisht gjysmë ore, para se të ndodhte shpërthimi që ia mori jetën.

Ekzekutohet me bombë në makinë gazetarja, zbuloi skandalet e “Panama Papers”
Një gazetare e shquar në Maltë, e cila zbuloi skandalet e “Panama Papers”, është vrarë në një sulm me bombë.

Bëhet fjalë për 53-vjeçaren Daphne Caruana Galicia, e cila u vra në makinë pranë shtëpisë së saj. Mediet lokale thonë se një nga fëmijët e saj dëgjoi shpërthimin dhe nxitoi jashtë.

Ndërsa, lidhur me shkrimet që ajo publikonte kishte sulmuar disa herë dhe kryeministrin e Maltës Joseph Muscat dhe dy prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, duke lidhur kompani jashtë vendit, të afërta me ta, me shitjen e pasaportave malteze dhe me pagesa nga qeveria e Azerbajxhanit.
Ndërsa, në një reagim për media vetë kryeministri është shprehur: “Dënoj pa rezerva këtë sulm barbar ndaj një personi e cila përdori lirinë e shprehjes në vendin tonë. Të gjithë e dinë se znj. Caruana Galicia ishte një kritike e ashpër e imja, politikisht dhe personalisht, ashtu siç ishte edhe për të tjerët”.
Daphne Caruana Galicia thuhet se u vra sapo doli nga shtëpia e saj pasditen e së hënës.
Televizioni i Maltës raportoi se Caruana Galicia kishte paraqitur një ankesë në polici dy javë më parë për të thënë se ajo kishte marrë kërcënime, por nuk u dhanë informacione të mëtejshme.

Policia ka hapur hetimet për vrasje. Policia dhe ekspertët e Mjekësisë Ligjore theksojnë se ajo mund të jetë vrarë nga një bombë e fuqishme e vendosur në makinën e saj, shkruan BBC.