Zbulohet shuma e parave që do të fitojë Januzaj dhe lojtarët tjerë të Belgjikës nëse fitojnë Botërorin

E publikuar: 15/06/2018 00:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kombëtarja e Belgjikës ka siguruar pjesëmarrjen për herë të 12-të në një Kampionat Botëror.

Suksesi më i madh për belgët është arritja në gjysmëfinale në vitin e largët 1986.

Por falë një gjenerate të artë të lojtarëve që kanë tani, në Belgjikë po shpresojnë që Kombëtarja e tyre të triumfojë në Rusi.

Me emra të mëdhenj si Hazard, Lukaku, Batshuayi, Carrasco e De Bruyne, belgët shihen si njëra nga skuadrat më të rrezikshme në Rusia 2018.

Në mesin e 23 futbollistëve te Belgjika është edhe ylli nga Kosova, Adnan Januzaj.

Tani në Belgjikë është zbuluar edhe premia e lartë që do ta fitojnë lojtarët në rast triumfit në Rusi.

Ka qenë Federata e Futbollit të Belgjikës që ka konfirmuar se kanë ndarë një shpërblim prej 445 mijë eurove për kokë të lojtarëve në rast se arrijnë ta fitojnë Kupën e Botës.

E nëse një gjë e tillë do të ndodhte, atëherë Januzaj me shokë do ta shtonin pasurinë e tyre me këtë shumë parash.

Ky shpërblim i belgëve është njëri nga më të mëdhenjtë që kanë ofruar federatat e futbollit për lojtarët e Kombëtareve. /Telegrafi/