Zbulohet një listë sekrete me emra të shënjestruar nga Weinstein

E publikuar: 20/11/2017 08:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lista përmban 91 emra aktorësh, publicistësh, producentësh, financierësh dhe njerëzish të tjerë, që punonin në industrinë e filmit, të cilët Weinstein i identifikoi si pjesë e një strategjie për të parandaluar daljen publike të akuzuesve kundër tij, transmeton ksp.

Emrat, e shkruar nga vetë Weinstein, iu dhanë një ekipi hetuesish privatë të punësuar nga producenti për të zhdukur pretendimet se ai ngacmoi apo sulmoi seksualisht shumë femra. Dokumenti u hartua në fillim të vitit 2017, rreth 9 muaj para stuhisë që shpërtheu më 5 tetor, kur gazeta New York Times publikoi një seri akuzash për ngacmim seksual ndaj Weinstein.

Detyra e hetuesve ishte të përgjonin individët në listë për të mbledhur informacione se çfarë dinin ata dhe kush do të dilte publikisht. Informacioni i dërgohej më pas Weinsteinit dhe avokatëve të tij. Lista me 91 emrat duket se vërteton raportet se akuzat për ngacmime seksuale ndaj producentit 65 vjeçar ishin një sekret i hapur në Hollywood.

Në listë janë emra të aktoreve të famshme si Rose McGowan apo Laura Madden, që e kanë akuzuar Weinstein respektivisht për përdhunim dhe ngacmim seksual. Lista e Weinstein konfirmon se ai ishte i ndërgjegjshëm se New York Times po grumbullonte dëshmi nga viktimat e tij shumë kohë para se të publikohej lajmi dhe mbase po përpiqej që ti mbyllte gojën atyre.