Zbulohet “fabrika” për prodhimin e diplomave false në Pakistan

E publikuar: 19/05/2015 22:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet në Pakistan i kanë hapur hetimet lidhur me një raport të gazetës amerikane New York Times, ku shfaqen dyshime se një kompani me seli në Karaçi të Pakistanit ka fituar dhjetëra miliona dollarë në vit, duke shitur diploma akademike false në internet.

Raportohet se hetuesit sot e kanë arrestuar një numër të personave gjatë bastisjeve në zyrat e firmës së quajtur Axact dhe kanë konfiskuar kompjuterë dhe shënime të ndryshme, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo bastisje u bë një ditë pasi gazeta amerikane ka raportuar se kompania Axact e kishte krijuar një rrjet të qindra faqeve në internet për shkolla fiktive me emrat si  Columbiana dhe Barkley, që ishte referencë për universitetet prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, Columbia dhe Berkley.

Gazeta i kishte analizuar ueb faqet e universiteteve të rrejshme dhe i kishte cituar të punësuarit e dikurshëm dhe klientët nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që kishin paguar deri në qindra mijëra dollarë për diploma të tilla.

Nuk dihet nëse ndër blerës të shumtë të diplomave false ka edhe ndonjë shtetas të Kosovës, detyrë kjo që i mbetet organeve arsimore dhe MASHT-it ta hulmtojnë.