Zbulohen planet sekrete të Gjermanisë në rast të rënies së Evropës

E publikuar: 08/11/2017 20:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Revista “Spiegel” ka publikuar një shkrim rreth një raporti të ushtrisë gjermane, që tregon në detaje planet e Gjermanisë në rast të rënies së BE-së.

Dokumenti 120 faqesh titullohet “Perspektiva Strategjike 2040” dhe përmes tij përpunohen gjashtë skenarë të mundshëm që mund të marrin jetë deri në këtë vit, e që do të ndikojnë në sigurinë e Gjermanisë.

Me këtë rast kuptohet se skenarët priret të kenë ndikim në mbarë Evropën.

Sipas raportimeve mbi këtë material, Gjermania po përgatitet për më të keqen: shpërbërjen e plotë të Bashkimit Evropian, një Evropë multipolare dhe një konflikt Lindje-Perëndim ku parashikohet që disa vende të Evropës të kalojnë me Rusinë.

Sipas revistës gjermane, në raportin e përgatitur nga Zyra Federale e Planifikimit në Forcat e Armatosura, lexohen edhe pasazhe të tilla që kontekstualizojnë në tërësi parashikimet e bëra:

“Zgjerimi i Evropës është braktisur gjerësisht, shtete të tjera e kanë lënë komunitetin, Europa ka humbur aftësinë konkurruese globale…

Një botë përherë e më shumë e pastabilizuar, disa herë kaotike dhe afër konflikteve ka ndryshuar dramatikisht mjedisin e sigurisë të Gjermanisë dhe Evropës”.

Për Evropën, ushtria gjermane nuk përjashton edhe ardhjen në pushtet të ekstremistëve dhe kalimin drejt modelit politik rus.

Dokumenti në vetvete si alternativë për më të keqen, konfirmon disi dyshimet e mëdha rreth BE-së dhe aftësisë së saj për të përçuar atë frymë mbi të cilën bazohet ekzistenca e saj.

Skenarët në fjalë janë ndër më të errëtit dhe vënë në dyshim të gjithë kuadrin e të drejtave për të cilat u luftua dhe investua kaq shumë.

Për më tepër që në rajone si Ballkani ato lënë vakuumin e rrezikshëm që çon në kaos dhe lloj-lloj animesh gjeopolitike.