Zbulohen lëvizjet e negociatorëve të PE-së për zgjidhjen e krizës në Shqipëri

E publikuar: 24/04/2017 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Negociatorët e Parlamentit Europian, David McAllister dhe Knut Fleckenstein, do të zhvillojnë ditën e martë takime me krerët e mazhorancës dhe opozitës të Shqipërisë, pas një kërkese të mazhorancës për t’i dhënë zgjidhje krizës politike.

Lapsi.al mëson detaje nga agjenda e dy europarlamentarëve në Tiranë. Sipas burimeve, takimi i parë i tyre do të jetë me përfaqësuesit e shumicës parlamentare. Burimet i thanë lapsi.al se në orën 14.00 është fiksuar takimi i parë i McAllister dhe Fleckenstein në një bisedë të përbashkët me Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, transmeton Klan Kosova.

Të njëjtat burime saktësuan se në orën 16.00 do të jetë vetëm Zv.Presidenti i Partisë Popullore Europiane David McAllister që do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Agjenda e Fleckenstein dhe McAllister, nuk parashikon të tjera takime, por ajo është lënë e hapur që në rast të nevojës të ketë sërish takime me palët.

Ndryshe nga sa është raportuar më herët gjatë së hënës, palëve nuk u është dorëzuar ndonjë draft-marrëveshje për zgjidhjen e krizës. I vetmi dokument që ka qarkulluar janë disa rekomandime të OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Burimet nga të dyja palët thanë se ky dokument nuk bën fjalë për çështjet e rëndëishme siç mund të jenë: qeveria teknike, shtyrja e zgjedhjeve apo dhe çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri.

Vetëm nëse do të gjendet dakortësi mes palëve, negociatorët do të mundësojnë një tryezë mes Ramës, Metës e Bashës, për ta zyrtarizuar marrëveshjen. Në të kundërt, kjo parashikohet të jetë përpjekja e fundit e Brukselit për të ndihmuar politikën shqiptare në zgjidhjen e situatës, transmeton Klan Kosova.

Synimi i dy europarlamentarëve është fillimisht nisja e dialogut mes palëve duke përcaktuar temat për të cilat mund të gjendet dakordësia për të kaluar më pas në çështjet që po mbajnë peng politikën shqiptare për më shumë se 2 muaj.