Zbatueshmëri e ulët e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, 75% e tyre në pritje të zbatimit

E publikuar: 10/12/2020 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm 18 për qind e rekomandimeve të Avokatit të Popullit janë zbatuar gjatë vitit 2020. Nga 178 rekomandime të këtij institucioni, 75 për qind e tyre janë në pritje të zbatimit. Kështu, po thuhet se institucionet e kanë për obligim ligjor zbatimin e tyre. Megjithatë, sipas shefit të ekzekutivit ka pasur progres në avancimin e zbatimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Kështu u tha në takimin e Grupit Ndërministror për të Drejtat e Njeriut, i cili kryesohet nga kryeministri Avdullah Hoti, me përfaqësim të ministrave dhe shoqërisë civile.

Në Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Hoti theksoi se janë të përkushtuar që këto të drejta të jenë pjesë e vlerave të Kosovës, duke u bazuar edhe në parimet e demokracisë dhe legjislacionit. Sipas tij, Kosova ka bërë progres në avancimin e zbatimit të këtyre të drejtave.

“Ne kemi miratuar para disa ditëve politikën kundër ngacmimit seksual në organet e Administratës Publike të Republikës së Kosovës. Me qëllim që kjo politikë të shërbejë si një udhëzues për parandalimin e çfarëdo forme të ngacmimit seksual që mund të cenojnë dinjitetin personal të çdo të punësuari në organet e administratës publike. Po ashtu, është e rëndësishme të theksohet se kemi themeluar grupin teknik për mbrojtjen nga diskriminimi të komuniteteve-romë, ashkalinj dhe egjiptianë, i cili mekanizëm e ka përkrahjen e plotë të qeverisë dhe institucioneve përkatëse për të adresuar çështjet dhe ankesat eventuale nga ky komunitet”, ka thënë ai.

Hoti theksoi se shumë shpejt do të miratohet edhe programi për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut 2021-2025, i cili përcakton hapat konkretë për respektimin e këtyre të drejtave.

Ai ndërkaq u zotua se mbetet prioritet angazhimi në përmirësimin e gjendjes së respektimit të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e tyre. Tutje, ka bërë thirrje që të punojnë së bashku në adresimin, zbatimin dhe mbrojtjen e drejtave të njeriut.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se instrumenti që e mat më së miri demokracinë është zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit. Por që, siç tha ai, zbatimi është detyrim ligjor i institucioneve.

“Në vitin 2019, Avokati i Popullit ka dalë me 225 rekomandime, nga të cilat 37 për qind për nivelin qendror të institucioneve janë zbatuar, 14 për qind nuk janë zbatuar, ndërsa 49 për qind janë në pritje të zbatimit. Është një ngritje e kënaqshme në raport me periudhat paraprake. Por në vitin 2020, vërehet një rënie e zbatimit të rekomandimeve, por shpresojmë se pas kësaj periudhe do të ketë rritje të zbatimit të rekomandimeve. Nga 178 rekomandime që ka nxjerrë Avokati i Popullit në vitin 2020, deri në këtë fazë, 18 për qind e tyre janë zbatuar, 7 për qind e rekomandimeve janë të pazbatuara, dhe 75 për qind e rekomandimeve janë në pritje të zbatimit”, tha Qelaj.

Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka treguar për organizimin e mësimit online të fëmijëve me nevoja të veçanta. Ai u zotua se gjatë kësaj periudhe, janë organizuar 297 trajnime për mësimdhënësit për mbajtjen e mësimit në distancë.

“Nëse i referohemi fëmijëve me nevoja të veçanta, procesi mësimor fatmirësisht deri tash ka shkuar mirë. Nuk janë evidentuar probleme specifike, edhe në qendrat burimore ku janë nxënësit me shkallë të lartë të aftësisë së kufizuar, situata ka qenë e mirë, nuk kemi pasur shumë raste të infektuar dhe kjo falë menaxhimit të mirë që kemi pasur me institucionet shëndetësore që kanë bërë testimin e stafit. MASHT ka organizuar aktivitete të shumta në përkrahje të fëmijëve me nevoja të veçanta. Parimi bazë ka qenë gjithëpërfshirja, është organizuar mësimi në qendra të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe përgjithësisht me prezencë në shkolla apo sipas skenarit A, përpos tri qendra të cilat kanë kaluar në skenarin C një herë gjatë gjysmë vjetorit”, u shpreh ai.

Derisa ka folur për shpërndarjen e laptopëve për vijimin e mësimit, ministri Likaj ka njoftuar se sot kanë marrë vendim për shpërndarjen e mbi 170 prej tyre për mësimdhënësit, përfshirë atyre të komunitetit RAE.

Ndërsa, Luljeta Demolli nga Qendra për Studime Gjinore përmendi ngecjet në zbatimin e ligjeve të miratuara për të drejtat e njeriut.

“Ne ende nuk e kemi një rast kundër diskriminimit në gjykatat tona, ende nuk e kemi një rast ku këto ligje janë aktive dhe tregojnë një mbrojtje më të madhe të drejtave të njeriut. Kapaciteti i shoqërisë civile është lakuar shumë herë, se në mungesë të koordinimit me donatorë në Kosovë dhe një kritikë ka ekzistuar se organizatat e shoqërisë civile ndjekin agjendën e donatorëve, por ne si organizatë vetëm gjatë pandemisë kemi pasur një mobilizim me institucionet dhe jemi rreshtuar për të ndihmuar në informim dhe çështje të tjera”, tha Demolli.

Ajo theksoi se duhet të mbështetën më shumë grupet e margjinalizuara, duke përfshirë edhe komunitet RAE, pasi sipas saj, ka mungesë të përfshirjes së tyre në administratën publike. Veç tjerash, tha se ende asnjë zyrtar nuk ka deklaruar publikisht që është pjesë e LGBT-i.