Zbardhen listat, Anglia grumbullon Rashford

E publikuar: 31/05/2016 18:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nis të marrë formë Euro 2016. Një pjesë e mirë e kombëtareve që do të bëjnë pjesë në kompeticionin që do të zhvillohet në Francë shpallën listat përfundimtare me 23 futbollistët e grumbulluar, përpara mesditës së kësaj të Marte, duke patur parasysh edhe faktin që 31 Maji ishte afati i fundit i përcaktuar nga Uefa, për ta bërë dicka të tillë. Duke lënë mënjanë grupin A, në grupin B vëmendja më e madhe ishte te 3 futbollistët që do të linte jashtë nga lista provizore prej 26 emrash trajneri i Anglisë Roy Hodgson. Dilemat e shuan kur federata angleze e futbollit dorëzoi në Uefa listën përfundimtare. Të sakfrifikuarit e Hodgson janë 3 mesfushorë dhe bëhet fjalë për Drinkwater të Leicester-it, Delph të Manchester City-it dhe Townsend të Newcastle United. Falë paraqitjeve të tija të shkëlqyera me fanellën e Manchester United por edhe golit pas vetëm 3 minutash ndaj Turqisë, në debutimin me Anglinë fitoi të drejtën për të qenë pjesë e Euro 2016, talenti Marcus Rashford. Përvec tij sulmuesit e tjerë të përzgjedhur nga trajneri i përfaqësueses së Tre Luanëve, janë Rooney, Kane, Vardy e Sturridge, kjo edhe për faktin se mbeti jashtë për arsye dëmtimi Danny Welbeck që futbollist që pëlqehej shumë nga trajneri Hodgson. Në mesfushë nuk mungojnë emra të tillë si Dele Alli, Dier, Wilshire, Sterling e Henderson ndërsa në mbrojtje spikasin Cahill, Stones, Smalling, Walker, Rose e Clyne.

Uellsi përfaqësuesja tjetër britanike që bën pjesë në grupin B, në debutimin e saj në një kampionat europian do të udhëhiqet padiskutim nga ylli i ekipit Gareth Bale pa harruar këtu edhe Aaron Ramsey-in, Ben Davies e Joe Allen. Në listën zyrtare të Rusisë janë përfshirë ndërkohë portieri brazilian Guilherme dhe mesfushori me tipare mbrojtëse i lindur në Ukrainë ,por i rritur si futbollist në Gjermani, Roman Neustadter. Emrat e tjerë të rëndësishëm janë Akinfeev, dy vëllezërit Berezutski, apo edhe Samedov, Shirokov e Dzyba. Mungesa e madhe e Rusisë do të jetë mesfushori i Cska-së së Moskës Alan Dzagoev i cili ka pësuar një dëmtim. Emri që spikat më shumë në listën e Sllovakisë, skuadrës së 4-t që bën pjesë në grupin B, është ai mesfushorit të Napolit Marek Hamsik, ndërsa trajneri Jan Kozak ka grumbulluar edhe emra të tillë si Skrtel, Stoch, Duda, Mak, Weiss e Nemec. Në grupin C, duke përjashtuar Gjermaninë nuk kishte surpriza në listat e Ukrainës dhe Polonisë.

Boshti i përfaqësues së drejtuar nga trajneri Formenko në Euro 2016 do të përbëhet nga lojtarë me peshë si portieri Pyatov, mbrojtësit Khacheridi e Kucher, mesfushorët e krahut Yarmolenko e Konoplyanka si dhe sulmuesit Zozulya e Seleznyov. Përsa i përket Polonisë ylli i skuadrës do të jetë padiskutim Robert Lewandowski i cili do të ketë si partner në repartin e avancuar Arkadiuz Milik, ndërsa të tjerë emra me peshë që janë përfshirë në listën zyrtare janë edhe ata të portierëve Fabianski, Sczesny e Boruc, mbrojtësve Glik e Pisczek e mesfushorëve Blaszczykowvski, Grosicki, Krychoviak e Zielinski. Turqia që bën pjesë në grupin D, bashkë me Spanjën, Kroacinë e Cekinë do të mbështetet, te lojtarë si Mehmet Topal, Caner Erkin, Nuri Sahin, Selcuk Inan, Arda Turan, Hakan Calhanoglu e Burak Yilmaz, ndërsa Hungaria që bën pjesë në grupin F, ka grumbulluar gjithashtu lojtarët e saj më të rëndësishëm, mes tyre edhe kapitenin  Dzudzak, Zoltan Gerën apo edhe sulmuesit Priskin e Nikolic./supersport.al/