Zarfet nga Serbia raportohet se u shkaktuan alergji punonjësve të KQZ-së

E publikuar: 13/10/2019 13:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Procesi i verifikimit të votave të ardhura nga Serbia është ndërprerë, pasi që zyrtarët që kanë qenë në kontakt me zarfet me votat e qytetarëve nga Serbia u është shfaqur alergji në duar. Megjithatë, ende nuk është e qartë se për çfarë reaksioni alergjik bëhet fjalë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit votues.

“Është ndërprerë verifikimi i zarfeve (me vota) që kanë ardhur nga Serbia dhe jo nga diaspora”, tha Buzhala.

“ I është shkaktuar (personave që kanë qenë duke verifikuar votat) alergji nëpër duar nga zarfet që kanë ardhur nga Serbia. Tash janë duke u bërë kontrollet dhe çka del tutje, unë nuk mund ta di”, tha Buzhala.

Ndërkaq, Daut Hoxha nga Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë “posedojmë informacionin dhe në aspektin policor jemi duke e trajtuar, ndërsa lidhur me detaje të tjera në këtë fazë adresojuni KQZ-së”.

Drejtori i Ndihmës së Shpejtë, Avdyl Pacolli tregoi për Radion Evropa e Lirë se personat që kanë kërkuar ndihmë, kanë pasur kruajtje të duarve.

Megjithatë, ai thotë se ende nuk dihet se çfarë substance ka shkaktuar këtë reaksion alergjik dhe se i përket organeve kompetente që të merren me zbardhjen e detajeve.

“Dua të ju bëj me dije se personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kryesisht kruajtje të duarve, të cilët, si pasojë e pluhurit që realisht nuk dihet çfarë pluhuri është, nuk dihet – për këtë besoj se duhet të merret farmakologjia toksike dhe njësitë e forenzikës së Policisë së Kosovës që kanë shkaktuar këto problematika”.

“Pacientët që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur probleme me kruajtje të duarve. Mandej, ata kanë qenë të pavetëdijshëm çka po ndodh dhe kanë prekur fytyrën dhe ju ka shkaktu skuqje të fytyrës dhe me mundësi të shkaktimit të problemeve respitarore”, tha Pacolli.

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për 3 mijë e 700 zarfe të ardhura nga Serbia. Gjatë procesit të verifikimit, në punë kanë qenë në ndërrimin e parë rreth 25 punëtorë, ku te disa prej tyre është shfaqur një lloj alergjie.

Në KQZ thonë se pasi janë shfaqur shenjat e alergjisë, janë ftuar ekipet shëndetësore dhe ata po merren me rastin.

Pas numërimit të votave të rregullta, tash kanë nisur të verifikohen votat e ardhura me postë nga vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe qytetarët nga Serbia që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, mbajtura më 6 tetor.

Në Kosovë më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.