Zaniolo dhe Roma arrijnë marrëveshje për rinovimin e kontratës?

E publikuar: 04/02/2019 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Talenti i madh italian, Nicolo Zaniolo thuhet se ka rënë dakord për një kontratë të re me Romën.

Zaniolo arriti vetëm në afatin e verës të klubi nga Olimpico si pjesë e një marrëveshje për transferimin e Radja Nainggolan te Interi.

Megjithatë, talenti italian ka qenë një zbulim i vërtetë duke befasuar të gjithë me rendimentin e treguar dhe lojërat prej një lojtari të konfirmuar.

19-vjeçari ka shënuar tre gola për Giallorossët dhe ka dhënë disa asistime, teksa ka fituar edhe ftesën nga Kombëtarja e Italisë.

Festa e Zaniolos pas një goli të shënuar (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Ndeshjet e mira dhe ftesa nga Italia kanë bërë shumë klube të mëdha italiane dhe evropiane të interesohen për lojtarin.

Megjithatë, mesfushori me tipare sulmuese si duket preferon të mbetet edhe më tutje në Olimpico me Romën.

Sipas mediumit Calciomercato.com, bisedimet ndërmjet Romës dhe agjentit të Zaniolos, Claudio Vigorelli, kanë shkuar ‘pozitivisht’ dhe lojtari pritet të rinovojë.

Kështu, mesfushori italian thuhet se do të marrë pagë prej 1.2 milionë euro plus bonuse deri në vitin 2024. /Telegrafi/