Zaev, pa opozitën, dorëzon në Kuvend draft-ligjin për Prokurorinë

E publikuar: 19/07/2019 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Zoran Zaev ka anuluar takimin e thirrur me liderët e partive politike për të diskutuar për tri tema, që, sipas tij, janë aktuale; Ligji për Prokurorinë Publike, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe regjistrimi i popullsisë, por jo edhe për zgjedhjet e parakohshme, që kërkohen nga opozita.

Për shkak të refuzimit të kësaj kërkese, VMRO DPMNE-ja opozitare ka refuzuar që të jetë pjesë e këtij takimi, por edhe Qeveria e ka anuluar takimin me arsyetimin se “nuk do të pranoj ultimatum nga kryetari i papërgjegjshëm i VMRO DPMNE-së, i cili, mbrojtjen e kriminelëve dhe bllokadat e izolimin e vendit i vendos para interesave shtetërore për përparimin e tij”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut konsideron se “temat që ka iniciuar kreu i ekzekutivit janë të rëndësisë së veçantë për qytetarët dhe për shtetin lidhur me integrimin evropian dhe vendimin që pritet të merret për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit”.

“Veprimet e tilla të opozitës imponojnë pyetjen se a thua VMRO DPMNE-ja dhe Mickovski janë të sinqertë për të marrë pjesë në këtë proces?”

“A thua vallë Mickovski angazhohet për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut? Dhe, a thua vallë janë të interesuar për sundimin e shtetit ligjor dhe pastrimin me krimin apo po bëjnë gjithçka për mbrojtjen e krimeve të bëra?”, ka deklaruar kryeministri Zaev, në një konferencë për media, duke njoftuar për vendimin e Qeverisë për të dorëzuar në procedurë parlamentare Ligjin për Prokurorinë Publike, pa marrëveshje me opozitën.

Propozimi, sipas kreut të Qeverisë, parasheh që Prokuroria Speciale të transformohet në Prokurori Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Prokuroria do të ketë kompetenca në gjithë territorin e vendit, në koordinim me Prokurorinë Shtetërore, ndërsa do të drejtohet nga Vilma Ruskoska, e cila, aktualisht udhëheq Prokurorinë për ndjekje të krimit organizuar dhe korrupsionit.

Zaev ka siguruar se Prokuroria e re do të jetë e pavarur financiarisht në punën e saj.

“Të gjitha lëndët që janë para gjykatave, e që janë në kompetencë të Prokurorisë Speciale, tani e tutje do të udhëhiqen nga Prokuroria e re atje ku kanë mbetur. Të gjithë të punësuarit dhe dokumentet kalojnë në kuadër të prokurorisë së re e cila do t’i ketë të gjitha garancitë për punë të pavarur”, ka deklaruar Zaev.

Ai ka shtuar se propozimi parasheh që shkarkimi i prokurores së re mund të bëhet vetëm me dy të tretat e votave.

Kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski, të martën ka akuzuar Qeverinë për paaftësi dhe përfshirje në skandale të rënda, siç është edhe ai i fundit me kryeprokuroren speciale, Katica Janeva, e cila sipas Mickovskit është përfshirë në shantazhin ndaj një afaristi, të cilit i janë marrë 1.5 milion euro.

Kryetari i VMRO DPMNE-së ka thënë se nuk mund të jetë pjesë e një takimi të tillë ku nuk do të bisedohej për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Unë nuk e shoh të nevojshme që të jem i pranishëm në atë takim, në të cilin do të bisedohej për gjithçka, por jo edhe për atë që sot ka nevojë Republika e Maqedonisë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ai gjithmonë kishte deklaruar se është i gatshëm për zgjedhje dhe tani tërhiqet nga frika e debaklit në to. Ne kërkojmë zgjedhje për të nxjerrë vendin nga gjendja e rëndë”, ka deklaruar Mickovski.

Ai ndërkohë është takuar të premten me kryetarin e lëvizjes Besa, Bilall Kasami, parti opozitare shqiptare e cila gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.