Zaev: Kontesti me Greqinë zgjidhet me kalimin e sovranitetit në BE

E publikuar: 29/04/2018 13:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zgjidhja përfundimtare e kontestit rreth emrit me Greqinë mund të arrihet paralelisht me procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, kur edhe sovraniteti i shtetit do t’i kalonte Unionit. Kështu shprehet kryeministri, Zoran Zaev, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se deri në zgjidhjen përfundimtare, dy vendet mund të arrijnë një marrëveshje të përkohshme, apo një kornizë për një emër me përcaktim gjeografik, pa prekur në çështjet që kanë të bëjnë me identitetin. Por, kjo sipas kreut të Qeverisë, duhet të konfirmohet në referendum nga qytetarët e Maqedonisë.

“Ndoshta zgjidhja përfundimtare do të jetë e lidhur me votimin e qytetarëve Maqedonisë, duke i dhënë sovranitetin tonë Bashkimit Evropian, ku dëshirojmë të anëtarësohemi dhe atëherë hapet edhe Kushtetuta. Ndoshta këtu është zgjidhja, për shkak se siç e dini, Greqia kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit kushtetues… Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras mund t’i shtrijnë duart dhe të arrijnë marrëveshje, por institucionet janë ato, të cilat e nxjerrin qëndrimin përfundimtar, sikur edhe qytetarët e të dy vendeve”.

“Për këtë duhet të kujdesemi, duhet të jemi kreativë në gjetjen e zgjidhjes që do t’i kënaqë së paku nevojat minimale të dy vendeve”, deklaron Zaev duke mos fshehur optimizmin e tij, që më në fund ky kontest prej më se dy dekadash të gjejë zgjidhje, me çka do të zhbllokohej procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Unë jam optimist. Optimizmi më udhëheq dhe besoj se kjo na ndihmon që të shikojmë me guxim, me kujdes dhe në mënyrë thelbësore në këtë proces serioz. Serioz, për shkak se ja, tani 27 vjet nuk u arrit zgjidhje. Besoj se tani është koha e vërtetë për zgjidhje dhe, falë Zotit, nuk jam vetëm pasi ka edhe optimistë të tjerë në shtet, para së gjithash ata që më ndihmojnë, shumica e qytetarëve në vendin tonë”, shprehet Zaev.

Ai nuk beson se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të rrezikojë ndonjë shtet tjetër, e në veçanti Rusinë, e cila disa herë është shprehur me tone kërcënuese se Shkupi mund të jetë shënjestër e Moskës në rast të anëtarësimit në NATO.

“Unë besoj se Moska nuk mund të bëjë diçka, për shkak se ende besoj thellë se ne jemi miq të mëdhenj. Është e vërtetë se Moska ka qëndrimet e saj për NATO-n, ka arsyet e veta e të ngjashme, por një Maqedoni e vogël sikurse ne, që është mike me Federatën Ruse duhet ta dijë se nuk dëshiron që të jetë anëtare në NATO që të sulmojë dikë, por të ndajë përgjegjësitë rreth ruajtjes së paqes në botë. Anëtarësimi në NATO për ne do të thotë: siguri, stabilitet, të cilat të gjitha së bashku nënkuptojnë ekonomi, apo më shumë para për qytetarët tanë dhe miqësi më të mirë me Rusinë, për shkak se do të kemi kapacitet më të madh për bashkëpunim”, thekson kryeministri Zaev.

Ai beson në zhvillimin ekonomik të vendit të dalë nga kriza e thellë politike në tre vjetët e fundit, e në veçanti pas dhunës së para një viti në Kuvendin e Maqedonisë që përçoi një imazh shumë të keq para bashkësisë ndërkombëtare. Zaev është i bindur në realizimin e parashikimeve jo vetëm të institucioneve vendore, por edhe të atyre ndërkombëtare, që më në fund vendi do të ketë një rritje ekonomike prej mbi 3 për qind me synimin që ajo që jetë edhe më lartë në tre vjetët e ardhshëm të qeverisjes së tij.