Zaev ashpërson fjalorin, reagime në Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 14/08/2019 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, thonë se organet e drejtësisë janë ata të cilët duhet të veprojnë lidhur me aferat që ndërlidhen me korrupsionin dhe jo kryeministri i vendit t’u drejtohet personave të caktuar përmes një fjalor të pakontrolluar.

Reagimet vijnë pasi të martën, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, duke komentuar aferën korruptive e njohur si “Reketi” apo zhvatja, rast ky në të cilin përfshihet edhe prokurorja speciale Katica Janeva e cila është në dorëheqje, tha se nuk do të lejojë që dikush të përfshijë atë në këtë rast duke mohuar çdo spekulim për involvimin e tij në rastin që ka të bëjë me aferën “Reketi”, ku të dyshuar janë Bojan Jovanovski i njohur si Boki 13 dhe Zoran Mileski Kiçes për zhvatjen e 1.5 milion eurove nga afaristi Orce Kamçev.

Më shumë debat ka nxitur përdorimi i shprehjes ‘peder’ nga ana e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut edhe pse ai paraprakisht i ka kërkuar falje komunitetit LGBT.

“Nuk do të lejojë disa kriminelë, një gazetar kapriçioz dhe kërkoj falje nga bashkësia LGBT, një ‘peder’, të më rrëzojnë nga Qeveria. Do të luftojmë deri në fund, dhe secili do të ndërmerr përgjegjësi”, ka theksuar Zaev.

Pas reagimeve të shumta, kryeministri Zoran Zaev përmes rrjeteve sociale edhe një herë është shpjeguar se para se të përdor fjalën ‘peder’ ka kërkuar falje duke theksuar se për bashkësinë LGBTI ka shumë respekt.

Por, Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci, për Radion Evropa e Lirë thotë se deklarata e kryeministrit Zoran Zaev është jashtë kontekstit të një lideri me norma demokratike dhe kjo gjuhë e ashpër duhet të dënohet.

“Kryeministri në asnjë mënyrë nuk duhet të merret me individë, profesionin e ndokujt apo orientimin seksual, por duhet të fokusohet me realizmin e politikave qeveritare Të gjithë qytetarët janë të barabartë para Kushtetutës dhe deklaratat e këtilla në masë të madhe e rrënojnë kredibilitetin e tij nëse vazhdon kështu edhe në të ardhmen”, thotë Troshanovski.

Edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut ka dënuar ashpër fjalorin e kryeministrit Zoran Zaev, veçanërisht për pjesën ku ai shprehet se “nuk do të lejojë ndonjë gazetar kapriçioz të shkarkojë këtë qeveri nga pushteti”.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut në një reagim me shkrim për media, thekson se ”fjalimi i tillë përmban agresion ndaj gazetarëve nga ana e kryetarit të Qeverisë dhe mund të nxis dhunë ndaj gazetarëve, ndërsa me këtë mund të përkeqësojë sigurinë e gazetarëve dhe të kufizojë lirinë e shprehjes”.

Nazim Rashiti, gazetar, për Radion Evropa e Lirë, thotë se deklaratat e këtilla “sipas standardeve të komunikimit sidomos nga ana e personave që kanë pushtet, konsiderohet si fjalor i cili mund të nxit pakënaqësi ndaj një komuniteti dhe në situata të tilla, shton ai, duhet pasur shumë kujdes.

Rashidi megjithatë thekson se mediat duhet të fokusohen në veprimin e institucioneve lidhur me këtë aferë që lidhet me korrupsionin.

“Ajo që unë dua të theksoj është se nuk duhet të përqëndrohet e gjithë vëmendja tek ky incident do të thosha në thonjëza sepse mund të kishte qenë dhe i qëllimshëm, por përqendrimi duhet të jetë tek problemi thelbësor i asaj që po ndodh. Pra, fokusi duhet të jetë tek autoritetet të cilat duhet të ndërmarrin masa dhe do të duhet të hetojnë gjithë atë për çka ka dyshim në lidhje me aferën “reket”.

Me duket se në një situatë të tillë është pak jokorrekte që i gjithë fokusi të jetë vetëm tek një fjalë, ashtu siç thash, nuk është brenda standardeve të komunikimit, por fokusi duhet të jetë tek veprimi i institucioneve“, thotë Rashidi.

Njohësit e çështjeve politike, njëherësh thonë se është herët të kërkohet përgjegjësi politike nga kryeministri Zoran Zaev për aferën që ka të bëjë me zhvatjen.

“Mendoj se është shumë herët që të kërkohet përgjegjësi politike nga ana e kryeministrit për rastin “Zhvatja” veçanërisht për shkak se institucionet e sistemit të drejtësisë, veçanërisht Prokuroria Themelore Publike, kanë ngritur hetime për këtë lëndë dhe besoj se me kohë do të ngrihen dhe akuzat”.

“Vetëm pas kësaj, nëse del në sipërfaqe se persona të caktuar të qeverisë janë të ndërlidhur me rastin “Reketi”, atëherë mund të kërkohet përgjegjësi politike”, thotë Troshanovski.