Z Mobile Prishtina vazhdon me fitore në FIBA Europe Cup, mposht sërish Steauan dhe merr kreun e grupit

E publikuar: 14/11/2018 05:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Z Mobile Prishtina ka regjistruar fitoren e radhës në FIBA Europe Cup duke e mposhtur CSA Steaua Bucurestin me rezultat 74-69.

Bardhekaltrit e nisën mirë takimin duke i shënuar tetë pikë më shumë se skuadra rumune në çerekun e parë (25:17).

Mirëpo, në fraksionin e dytë të lojës, mysafirët bënë një rikthim duke i shënuar dhjetë pikë më shumë (9:19), ashtu që shkuan në pushim me epërsi (34-36).

Pas pauzës, nikoqirët u rikthyen sërish (23:12) për të rimarrë avantazhin në fund të çerekut të tretë.

Dhjetëminutëshin e fundit e fitoi skuadra vizitore (17:21), mirëpo epërsia e kryeqytetasve tanë nuk arriti që të cenohej.

Kjo ishte fitorja e katërt e Z Mobile Prishtinës në kuadër të Grupit E të FIBA Europe Cup, ku ka regjistruar vetëm një humbje dhe tashmë pozicionohet në krye të grupit.

Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës e ka siguruar kualifikimin e mëtutjeshëm në këtë garë dhe tash luan pa presion, porse do të përpiqet ta fitojë grupin.

Nga ana tjetër, Steaua është në vend të fundit në grup dhe i ka pësuar pesë humbje nga po aq ndeshje. /Telegrafi/