Z-Mobile i jep Telekomit afat 6 muaj

E publikuar: 18/10/2020 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Borxhi prej afër 23 milionëve që ka Telekomi ndaj Z-Mobile, për refuzim të kërkesës për dhënien e 100 mijë numrave për Z-Mobile, është kërkuar që të paguhet brenda gjashtë muajve, përndryshe do të bllokohen xhirollogaritë e Telekomit.

Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, sipas së cilit është mbajtur një takim në mes të Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësuesve të Telekomit, si dhe përfaqësuesve të Zmobile. Edhe pse Balaj nuk ishte pjesë e takimit, thotë se sipas informatave të tij, Qeveria dhe përfaqësues të Telekomit të Kosovës, si marrëveshje kanë ofruar 250 mijë euro në muaj, mirëpo përfaqësuesit e kompanisë Z-Mobile kanë refuzuar.

“Është zhvilluar një takim në ministrin, ne nuk kemi qenë të informuar për këtë takim. Nga burimet tona brenda takimit, kemi marrë informata që në atë takim kanë qenë përfaqesuesit e kompanisë ish Z-Mobile, përfaqësueses të Qeverisë dhe Telekomit, ku Qeveria dhe Telekomi e kanë ofruar një marrëveshje për pagesën e borxhit ndaj Z-Mobile, të cilën ata e quajnë pagesë, ndërsa për neve si sindikatë është i papranueshëm ai borxh. Qysh i kemi informatat, Qeveria i ka ofruar deri 250 mijë euro në muaj, ndërsa përfaqësuesit e Z-Mobile kanë qenë kategorik kundër, kanë kërcënuar me bllokimin e xhirollogarive të Telekomit dhe kanë kërkuar që borxhi të paguhet në gjashtë këste”, ka thënë Balaj.

Balaj ka deklaruar se nuk do të lejohet bllokomi i xhirollogarive. Ai ka thënë për KosovaPress, se po tentohet që një pjesë e aksioneve të Telekomit, të kalohen te Z-Mobile.

“Nuk do të lejojmë që të bëhet bllokimi i xhirollogarive sepse tashmë gjithçka është e qartë se në emër të këtij borxhi, në emër të kësaj afere, Z-Mobile është ka tentohet që një pjesë e aksioneve të Telekomit të shkojnë në Z-Mobile, por kjo është kapitull i mbyllur, domethënë nëse vdesin 2400 punëtorë, atëherë kjo mund të bëhet, por, derisa kjo kryesi i prinë kauzës së punëtorëve, atëherë një gjë e tillë ua garantojmë se nuk do të ndodhë”, thotë ai.

Balaj ka shtuar se do t’i besojë fjalës së ministrit, sepse ai iu ka dhënë fjalë se nuk do të lejojë që të bllokohen xhirollogaritë dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës, do ta merr në përgjegjësi Telekomin dhe borxhin e tij.

Ai ka thënë se këto kontrata i ka nënshkruar përfaqësuesit e Telekomit të ardhura nga Qeveria, bordet e ardhura nga Qeveria dhe shkëputjen e tyre duhet ta bëjë prapë Qeveria.

E në në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr seriozisht kërkesat e Telekomit të Kosovës, Balaj thotë se situatën do ta marrin në dorë këta.

“Hapat tonë si sindikatë janë të qartë… është vendim i kryesisë, është marrë vendim me aktivizuar këshillin e grevave, këshilli i protestave dhe në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i merr seriozisht kërkesat tona, atëherë hapat tonë janë të pa shmangshëm që situata do të merret në dorë”, ka thënë ai.

Balaj gjithashtu ka kërkuar nga Qeveria që të zgjidhet një bord i ri, pasi që siç thotë ai, duhet të zgjidhet një bord profesional të cilët e njohin telekomunikacionin dhe jo njerëz që punojnë për interesa të veta personale.

E ky takim është konfirmuar edhe nga këshilltari i ministrit të ekonomisë, Uran Haxha.

Haxha, përmes telefonit ka thënë se ky takim është udhëhequr nga drejtori për monitorimin e ndërmarrjeve publike.

“Shefi i monitorimit të ndërmarrjeve publike, bashkë me zëvendësministrin Rexhep Sadriu, si dhe monitoruesit e Telekomit. Këta kanë qenë brenda takimit vetëm si përkrahës, si monitorues, jo si udhëheqës të takimit, ellit e takimit u kanë kryesuesi i bordit edhe bordi i Telekomit”, ka thënë Haxha.

Sa i përketë propozimit që të paguhen mbi 200 mijë euro në muaj, Haxha ka thënë se kjo ka qenë ofertë e përfaqësuesve të Telekomit, por Qeveri mund të jetë garantuese.

Haxha ka shtuar se nga ky takim nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe se kanë mbete që të takohen prapë.

Për të njëjtin takim ka folur edhe zëdhënësi i Telekomit, Menduh Abazi, ku përmes emaili ka thënë se Telekomi nuk ka pasur vetëm një takim, por disa takime, vetëm për të gjetur një zgjidhje të mirë për këtë ndërmarrje.

“Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me aksionarin për të gjitha temat për të cilat, mendimi dhe në raste të ndryshme edhe vendimi konkrete nga qeveria.

Mund të konfirmojmë që edhe për rastin konkret ne kemi pasur takime dhe jo vetëm një por disa me qëllim të gjetjes së zgjidhjes për çështjen Z-Mobile për të mos ndodh me bllokimi i llogarive. Telekomi i Kosovës prape është paralajmëruar nga Z-Mobile se mund të bllokohen llogarit dhe në rast se ndodh prape një gjë e tillë do të jetë shumë e dëmshme”, ka thënë Abazi.

Sipas tij, edhe pse nga Telekomi është propozuar që të paguhen një shumë e caktuar mujore, Z-Mobile prapë ka paralajmëruar që mund të bllokohen xhirollogaritë.

“Telekomi i Kosovës me kohë ka adresuar tek aksionari këtë çështje të cilën ju po e potenconi por edhe tjera probleme të ngjashme duke kërkuar zgjidhje në të mirë të korporatës”, ka thënë Abazi.

Ai tha se kjo çështje kërkon vëmendje dhe zgjidhje konkrete nga ekzekutivi, ndërsa Telekomit i mbetet të zbatojë çkado që mund të vendos aksionari. /B.Hajdari/