Ymeri: Lista Serbe duhet të shpallet e jashtëligjshme

E publikuar: 23/02/2016 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor ose Gjykata Kushtetuese duhet ta shpallë të jashtëligjshme Listën Serbe.

Ymeri ka thënë se kjo Listë nuk përfaqëson interesat e Kosovës, por pjesëtarë të saj punojnë në emër të Beogradit.

“Ata janë përfaqësues të Beogradit në Kosovë. Ata janë qytetarë që duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta dhe pastaj t’i gëzojnë të drejtat që u përkasin sipas standardëve të BE-së”, ka thënë Ymeri.

“Nuk është detyrë e ekzekutivit që të shpallë subjektet të jashtëligjshme. Është detyrë e KQZ-së. Duhet të shpallet e jashtëligjshme. Është përfaqësuese e Beogradit. Ata po e thonë, ne jo. Nuk duket që institucionet tona të kenë ministër që përfaqëson Beogradin”, ka theksuar ai.

“Identifikimi duhet thotë a je i qendrës, liberal, a je i majtë apo i djathtë, identifikimi nuk duhet të bëhet në bazë të etnive. Këtë e ka bërë Serbia që ta dobësojë politikën në Kosovë”.

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ymeri, gjatë emisionit ka folur edhe për demarkacionin me Malin e Zi, për të cilin ka thënë se duhet të fillojë nga zero.

I pyetur se cila do të ishte zgjidhja për demarkacionin, Ymeri ka thënë se në bashkëpunim me Malin e Zi duhet të krijohet një kufi, i cili do të kënaqte dy palët.

“Mendoj që ky proces duhet të fillojë nga zero, dhe në bashkëpunim me Malin e Zi të krijojmë një kufi, i cili nuk prek asnjërën palë. Duhet të krijohet komisioni i ri, i përbërë nga ekspertët dhe të arrijmë një marrëveshje që do të jetë e pranueshme nga gjitha palët”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka theksuar se edhe nëse do të zgjidhej problemi i demarkacionit me Malin e Zi, kjo marrëveshje përsëri nuk do të mund të nënshkruhej nga ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

“Ta zëmë se me këta ekspertë bëjmë marrëveshje, e cila përsëri do të nënshkruhet nga Hashim Thaçi. Këta njerëz nuk janë kredibil. Largimi i kësaj qeverie për shkak të gabimeve dhe lëshimeve që kanë bërë nga këto marrëveshje, do të vijë si alarm që tregon se populli nuk fal”, ka thënë Ymeri.