Ylli i Kosovës punonte në McDonald’s para se të bëhej futbollist

E publikuar: 18/07/2020 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ylli i Kosovës, Benjamin Kololli, ka thënë se karriera e tij në futboll nuk u ngjason shumë karrierave të futbollistëve të tjerë, pasi që ka bërë të ditur se ai kishte ndërruar punë qysh nga mosha 17-vjeçare duke provuar përvoja të tjera.

28-vjeçari kosovar ka luajtur në 23 ndeshje të këtij sezoni për klubin zviceran, së fundi edhe duke shënuar gol, transmeton Front Online.

Ai ka qenë mbresëlënës edhe në ndeshjet e tij të zhvilluara për Kosovën. Por, tani ka zbuluar se ai s’kishte qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj karrierës së tij si futbollist.

“Kam bërë shumë gjëra, karriera ime nuk është tipike për një futbollist. Për shembull, në moshën 17-vjeçare i ndërpreva stërvitjet në futboll dhe nisa stërvitjet në kikboks. Kur u mbylli klubi i kikboksit, unë iu ktheva futbollit”, ka thënë Kolloli, në intervistën për gazetën zivecrane NCC.

“Unë punova edhe në garderobën e një klubi nate dhe në kuzhinën e një McDonald’s. Pastaj e fillova praktikën diku, por pas tre muajve u detyrova ta lë punën për shkak të probleme me shefen, e pastaj e kompletova praktikën time në zyrat e FC Sion”.

“Kisha probleme me shefen pasi që ajo ndiente se unë s’e pranoja autoritetin e saj. Megjithatë, unë gjithmonë kam pasur respekt për të”. /Front Online/