YIHR në Kosovë dhe Serbi për emërimin e Selimit këshilltar të Haradinajt: Kriminelët e luftës nuk kanë vend në Qeveri

E publikuar: 05/02/2019 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Youth Initiative for Human Rights – Kosovë (YIHR Kosovë) dhe Youth Initiative for Human Rights – Serbi (YIHR Serbi), përmes një komunikate dërguar mediave, kanë dënuar dhe kundërshtuar fuqishëm vendimin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për emërimin e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, si këshilltar politik.

“Deri më 25 janar të këtij viti, kur edhe u lirua me kusht, z. Selimi ishte në burg duke vuajtur dënimin e tij prej 7 (shtatë) vitesh për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile gjatë viteve 1998-1999. Përveç veprimit të z. Haradinaj, liderë të tjerë shtetëror kanë vizituar Sylejman Selimin pas lirimit nga burgu dhe e kanë cilësuar atë si hero të popullit shqiptar. Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaci, ka thënë se ‘Me heroin e gjallë, gjeneralin Sylejman Selimi në liri, Kosova është më e mirë dhe më e sigurt’”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

Emërime dhe deklarata të tilla, thotë kjo organizatë, “për ne janë jashtëzakonisht shqetësuese dhe si rrjedhojë të papranueshme”.

“Personat që kanë kryer krime lufte duhet të qëndrojnë larg institucioneve shtetërore që shërbejnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie. Vendimi për emërimin e z. Selimi si këshilltar politik, tregon për mos-seriozitetin dhe mungesën e përkushtimit të Qeverisë për drejtësi, pajtim dhe paqe”, theksohet më tej në komunikatë.

YIHR – Kosovë dhe YIHR – Serbi, si organizata që punojnë në ballafaqimin me të kaluarën dhe drejtësinë tranzicionale, i bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë në Kosovë “që të ndalojnë çfarëdo plani për përfshirje e nderim të kriminelëve të luftës në jetën politike dhe publike”.

“Fokusi i tyre kryesor duhet të jetë në njohjen dhe arritjen e drejtësisë për viktimat, të mbijetuarit/at dhe personat e pagjetur nga lufta në Kosovë. Ne, si të rinj nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nderimit të kriminelëve të luftës në të dy shtetet. Ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë rrëfimet e njëanshme të historisë dhe do të punojmë për të punuar në ndërtimin e paqes dhe pajtimit në mes të dy popujve”, përfundon reagimi i organizatave YIHR në Kosovë dhe Serbi.

Kryeministri Ramush Haradinaj ditë më parë e ka emëruar si këshilltar politik, gjë të cilën e kanë konfirmuar për Koha.net edhe nga Qeveria e Kosovës.