Xhaxhai rrëfen për tragjedinë: Bleranda erdhi në Drenas për t’u pajisur me patentë shoferi (Video)

E publikuar: 24/02/2017 13:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trupi i pajetë i Bleranda Currit është dërguar në shtëpinë e saj në Korreticë të Drenasit, aty ku sot do të bëhet varrimi i saj në orën 16:00 në varrezat e fshatit. Xhaxhai i viktimës, Bujar Curri, ka treguar se Bleranda dje kishte shkuar në Drenas që të pajisej me dokumentin e patentë shoferit, e më pas ishte nisur për në shtëpinë e saj në Fushë Kosovë.

Ekipi i Gazetës Express po qëndron te shtëpia e familjes Curri, të cilët kanë njoftuar se sot do të bëhet varrimi i saj në varrezat e Korreticës së Drenasit. Në varrim marrin pjesë edhe familja e autorit që shkaktoi aksidentin, ku pritet pajtimi/falja.

Xhaxhai i viktimës, Bujar Curri, ka thënë për Express se familjarët e autorit që shkaktoi aksidentin, Admir Salihu, janë të interesuar dhe se do të jenë të pranishëm edhe në të pame.

“Bleranda ka qenë në Drenas me u pajisë me ni dokument për patentë shofer, ka hyp në autobus për me u kthy në Fushë Kosovë, aty ku ka jetu”, ka thënë xhaxhai i viktimës 20-vjeçare.

Bleranda Curri është goditur nga automjeti pasi ka zbritur nga autobusi, në zebra. Viktima, aty ka ndërruar jetë.

Policia më herët ka thënë se aksidenti është bërë nga pakujdesia, ndërsa Express raporton se varrimi i së ndjerës do të bëhet sot në orën 16:00.

“Familjarët e personit që e ka goditë janë interesuar dhe i kemi lejuar të vijnë në varrim”, ka thënë Curri.

I ati i të ndjerës, Bedri Curri ishte vrarë para 10 muajve. Ai ishte ushtarë i UÇK-së dhe dyshohet se ka qenë edhe dëshmitar i Gjykatës Speciale.