Xhavit Haliti përplaset me deputetin e VV’së: 20 vjet i ke të krimbura

E publikuar: 01/07/2019 18:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, janë përplasur mes vete për çështjen se a duhet që debati për Luginën e Preshevës të mbahet i mbyllur apo jo.

Përplasja mes tyre ka vazhduar duke i bërë pyetje njëri- tjetrit, ndërkohë që në debat ka ndërhyrë edhe deputeti i PDK-së Memli Krasniqi.

Nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, ka thënë se për çështjen e Luginës së Preshevës duhet të flasin duke i pasur parasysh mundësitë që i kanë.

“Ne ndonjëherë po flasim shumë dhe mundësitë tona i dimë, i dimë kompetencat tona, i dimë rregullat, ne nuk mund të shkojmë akoma me e kalua kufirin e Kosovës në drejtim të Serbisë me targa të rregullta të Kosovës. Andaj edhe kur flasim se çka duhet të bëjmë për atë duhet ta kemi parasysh. Adresimi më i mirë me argumente është edhe me iu drejtua Bashkimit Evropian dhe ambasadave që janë këtu edhe fondacioneve të ndryshme që financojnë arsimin, kulturë, shkencën. Është një mekanizëm i regjioneve në Evropë i cili ka mjete dhe ka angazhime regjionale e në këtë rast do të thoja që sikur edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci do të pretendonin që të anëtarësohen në këtë mekanizëm përfaqësues të regjioneve të Evropës që kanë situata të ngjashme, njëjtë po besoj se do të kishin përfitime më të mëdha. Prandaj, po them që mirë ndodhi debati, por mendoj që duhet t’i shtrijmë këmbët sa na mbërrin jorgani”, tha ai.

Haliti tha se më mirë ka qenë që për Luginën e Preshevës të kishte qenë debati i mbyllur, pasi sipas tij do të diskutohej realisht për situatën dhe sa mund ta ndihmojë Kosova Luginën e Preshevës.

Ndaj kësaj ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, i cili propozimin që debati për Luginën e Preshevës të mbahet i mbyllur e quajti të rrezikshëm. Deputeti Zyba ka vazhduar të flas ani pse kryesuesi Xhavit Haliti nuk ia ka dhënë fjalën.

“E pate një propozim shumë të rrezikshëm. Propozimi yt ke që të kalojmë në diskutime të mbyllura, para teje kryesuesi e kufizoi në 5 minuta. Haliti: E çliruam Preshevën”.

Pasi që i ka dhënë fjalët, deputeti Zyba ka pasur kritika rreth rezolutës së presidentit Thaçi, ku ai ka thënë se është kontabanduar. Por, menjëherë i ka reaguar nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti, i cili e ka pyetur se sa vjet i ka.

“Sa vjet i ki ti, uroj që të mësosh më shumë çka ka ndodh përpara, po nuk kemi nevojë të shtyhemi këtu kush ka kontribuar më shumë, jemi në Kuvend të Kosovës tash kemi 20 vjet pas luftës, historinë kanë me e shkruar qysh duhet. Nuk jemi ne shkrues të historisë dhe nuk duhet të shkruajmë ne histori, kështu që nuk po dua të ndërhyjmë unë as nuk kam shpërndarë rezoluta as nuk kam shkruar rezoluta”, tha ai.

E deputeti Sali Zyba, duke iu përgjigjur Halitit, tha se ai 20 vjetët e fundit i ka të krimbura.

“Gjysma e vjetëve të mija janë po aq sa fatkeqësia e Kosovës prej se qeverisni ju. 20 vjet e mas luftës këto dëme që ia keni bërë shtetit, shtoja edhe 20 i kam kaluar në të 40. Këto janë vjet e mija dhe janë të shëndosha, të juve së paku të 20 e fundit janë të krimbura, janë të rrezikshme për vendin tonë”, tha ai.

Përgjigje sërish i dha nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, i cili tha se në vjetët e tij askush nuk do të mund të vejë asnjë njollë.

“Unë nuk flas në shumës, por po të them që vjet e mija që janë nja 46 për Kosovën kurrë nuk kanë lëvizur, kurrë dhe kurrë as ti as soji yt, as të tjerët nuk kanë me mund me vu asnjë njollë. Propaganda është propagandë, ti je i ri dhe uroj që ti të mbetesh patriot kështu siç je edhe me biznes edhe me të gjitha të ecin këmbët mbarë në Kosovë”, tha ai.

Në debat është përfshirë edhe deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, i cili ka pasur një urim për Xhavit Halitin e Sali Zybën.

“Ishalla të gjithë ka 100 i bëni edhe ishalla keni shëndet, e ishalla kontribuoni për Kosovën edhe më shumë seç keni kontribuar deri më tash, secilit kurrkush nuk ka me ia mohua kontributin. Nuk kemi nevojë të dëgjojmë kurrkënd me na tregu qysh e keni çliruar Preshevën, se me pas çlirua nuk ishin kanë ata të shkretë në këtë situatë”, tha ai.