Xhavit Haliti për statuset e Isa Mustafës: Po ia lëshojnë mjekrën këshilltarët

E publikuar: 31/08/2017 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i Kryesisë së PDK-së Xhavit Haliti nuk po i merr fort seriozisht deklaratat e ashpra të kreut të LDK-së Isa Mustafa ndaj kundërshtarëve politikë e Kadri Veselit. Thotë se janë këshilltarët e Mustafës ata që shpesh kanë shkruar në Facebook. “Po ia lëshojnë edhe mjekrën” ironizon Haliti. Duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit në detyrë se PAN po përdor sekserë për ta formuar Qeverinë, Haliti e quan të natyrshëm që të ketë sekserë për të arritur një marrëveshje.

I ashpër edhe sot në statusin e tij ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa. Derisa dje fliste për të arriturat e tij në qeverisjen lokale dhe atë qendrore sot ka vendosur që ta sulmojë Kadri Veselin dhe koalicionin e tij për mënyrën se si sipas tij po tentohet formimi i Qeverisë.

Tha se me pazare të ndyta e sekser po synojnë t’i bëjnë institucionet. Por të natyrshme e sheh përdorimin e sekserëve në arritjen e një marrëveshjeje Xhavit Haliti i PDK’së. Thotë se nuk po merren me atë se çfarë po bën Vetëvendosje e as LDK’ja.

“Fjala sekser d.m.th ndërmjetës dhe për të krijuar institucionet normalisht që ka ndërmjetës dhe të ngarkuar për bisedime. Kadri Veseli është shef i koalicionit dhe në qoftë se është shef i koalicionit atëherë është normale që ai te merret me atë punë por sidoqoftë unë pra, ne, nuk po merremi me ato qe po i bën as Vetëvendosja e as LDK-ja ne përpjekje për ta bërë koalicionin dhe qeverinë, edhe neve si koalicion jemi duke u përpjekur ne te gjitha variantet që ta bëjmë qeverinë e Kosovës tani kush del fitimtar do ta shohim, pra kjo nuk është larg, është një javë nëse brenda javës behet qeveria”, është shprehur Haliti për Express të enjten.

Ndërkaq, i pyetur nëse është i sigurt qe do të behet qeveria në seancën e radhës, Haliti me ironi tha se i sigurt është veç kur ka takime.

Për akuzat e Mustafës tha se ky është problem i tij dhe se “zakonisht shumica e këtyre statuseve bëhen nga këshilltarët. Shumë herë e di që edhe Isës ia kanë lëshuar mjekrën duke shkruar në statuset e tij dhe është detyruar ta mbyll atë”.

Sidoqoftë, kjo sipas tij, është betejë politike që bëhet me lojë fjalësh. “ E kush arrin me fitu ta shohim, është mirë të mos dilet në ndonjë betejë tjetër se për lojë fjalësh është normale”, është shprehur ai.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që kryeministri në detyrë drejton akuza të rënda në drejtim të kundërshtarëve politikë sikurse edhe atyre brenda partisë së tij dukë qëruar kështu hesapet me të gjithë.