Xhamajka si fund dhe si fillim

E publikuar: 21/02/2020 19:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partizimi i diplomacisë është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se kemi bërë një gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve drejt shteteve të vogla. Kemi menduar se duke e rritur numrin formal të njohjeve, vetvetiu do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve. Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë.

Blerim Latifi

Dje në mbrëmje u shpërnda lajmi se Xhamajka, një shtet i vogël në kontinentin amerikan, e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur e sovran! Të gjithë u gëzuam, pasi na u krijua përshtypja se pas një kohe të gjatë të bllokimit të procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, tani kishim sinjalin e parë se ky proces po rifillonte. Natyrisht, nuk harruam të kujtojmë se ky lajm përbënte një goditje për fushatën e madhe të çnjohjeve, të cilën tash e një kohë të gjatë është duke e bërë Serbia me diplomacinë e saj. Militantët partiakë nuk humbën kohë dhe u hodhën në sulm që të grabisin meritat e kësaj njohje për llogari të liderëve të tyre, ndërsa dizajnerët digjitalë u kujdesën të krijojnë montazhe të vëllazërisë së re të krijuar midis Kosovës e Xhamjakës, në formën e flamujve të lidhur të tyre. Në fund të ditës të gjithë ishim të lumtur, përjashto ata që gjatë ditës morën lajmin e hidhur se ministri i ri i punëve të jashtme i ka shkarkuar nga pozitat që kishin në shërbimin diplomatik të Kosovës.

Por, me të zbardhur dita e re, një lajm tjetër qëndronte në faqet ballore të portaleve. Qeveria e Xhamajkës kishte përgënjeshtruar lajmin për njohjen e Kosovës. Të them të vërtetën u ndjeva i dëshpëruar! Ndërkaq, një mori pyetjesh më erdhën në mendje: Si është e mundur që presidenti i vendit të bjerë viktimë e një lajmi të rremë? Pastaj : Si është e mundur që një ambasadore me shumë përvojë siç është Vlora Çitaku, të nisë drejt Kosovës një lajm të tillë? Nuk e kam informacionin e duhur që të mund të përgjigjem në këto pyetje, por ajo që dua të them ka të bëjë me zbërthimin e logjikës së kësaj situate të sikletshme diplomatike. Gabimi i presidentit, i ambasadorës dhe i të gjithë liderëve tjerë institucionalë që e përshëndetën lajmin, qëndron në faktin se kanë publikuar atë pa i bërë verifikimet përkatëse. E forma kryesore e verifikimit është pranimi i shkresës zyrtare nga shteti i cili thuhet se na ka njohur. Madje, edhe kur kjo shkresë vjen, ajo duhet të trajtohet në mënyrë kritike, në kuptimin se duhet të bëhet vlerësimi i karakterit të shtetit nga i cili vjen shkresa. E them këtë duke u nisur nga fakti se ka shtete në botë, sidomos në Afrikë, të cilat seriozitetin në marrëdhëniet ndërkombëtare e kanë në nivelin më të ulët. Si rezultat i kësaj mund të ndodhë që njohjen të cilën të tilla shtetet ta kanë dhënë paradite, ta heqin pasdite. Ish ministri Pacolli, në disa raste, ka rënë viktimë e këtij joserioziteti të këtyre shteteve, ndërsa ajo që quhet “fushata diplomatike e Serbisë për çnjohjen e Kosovës”, kryesisht ka të bëjë me angazhimin në të tilla shtete. Por, nuk është në pyetje vetëm joserioziteti i të tjerëve. Është edhe joserioziteti ynë. Pa pasur frikën se do të themi diçka që nuk qëndron, mund të konstatojmë se nga viti 2008 e tutje, diplomacia kosovare ka ardhur duke rënë në mënyrë të vazhdueshme. Ajo është rritur në mënyrë kuantitative, por jo edhe në mënyrë kualitative. Ambasadat tona, kryesisht, janë mbushur me militantë partiakë dhe farefis të njerëzve të pushtetshëm, madje pa marrë fare parasysh nëse i kanë ose jo kompetencat e domosdoshme për të punuar në shërbimin diplomatik të shtetit. Kështu e kemi lënë anash të vetmen mundësi të cilën e kanë shtetet e vogla në diplomaci: të vënë në shërbimin e tyre diplomatik njerëz me kapacitete të larta intelektuale dhe shkathtësi të spikatura profesionale, në mënyrë që disi të mund të kompensojnë mungesën e ndikimit të shtetit të tyre të vogël në marrëdhëniet ndërkombëtare. Popujve të vegjël u duhen njerëz të mëdhenj, nëse duan t’u dëgjohet zëri, thotë një mendim i lashtë.

Por, partizimi i diplomacisë është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se kemi bërë një gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve drejt shteteve të vogla. Kemi menduar se duke e rritur numrin formal të njohjeve, vetvetiu do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë ndërkombëtare të shteteve. Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë nuk do të ndryshonte për të mirë. Barrierat tona qëndrojnë diku tjetër : tek fuqitë e mëdha, si Rusia, Kina, India, Brazili dhe pesë shtetet e Bashkimit Europian të cilat vazhdojnë të këmbëngulin në mosnjohjen e Kosovës. Prandaj, është dashur qëmoti të hiqnim dorë nga vetmashtrimi me njohjet e vogla, të cilat, për më tepër, na janë kthyer bumerang nga interferimi diplomatik i Serbisë. Skandalin me njohjen nga Xhamajka duhet ta marrim si kolaps përfundimtar të kësaj qasje në politikën e njohjeve. Po jo vetëm kaq! Duhet ta marrim edhe si moment reflektimi dhe qartësimi për një të vërtetë të cilën e kemi para syve, por bëjmë sikur nuk e shohim: dalja nga bllokada e përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, fillon me një përpjekje të re për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Mbështetësit tanë kryesorë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po na e thonë përditë këtë gjë, por si duket dylli i patriotizmit folklorik na i ka mbyllur veshët dhe për pasojë nuk po i dëgjojmë as ata, e as zërin e arsyes. Mbyllja e veshëve dhe ikja nga realiteti nuk janë zgjidhje. Përkundrazi, janë hapje e rrugës që na shpie në gabimet e rradhës.