Xhaka po largohet nga Arsenali

E publikuar: 20/12/2019 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazeta e madhe gjermane, Bild, raporton sot se mesfushori i Arsenalit Granit Xhaka mund të kthehet së shpejti në Bundesligë, pasi që ai tashmë i ka lajmëruar bashkëlojtarët e tij se do të largohet nga Arsenali.

Karriera e Xhakës në Arsenal, që filloi në vitin 2016, raportohet se ka marrë fund pas zënkës që ai e pati me tifozët e klubit, gjatë barazimit 2:2 të Arsenalit me Crystal Palace më 27 tetor, transmeton Gazeta Express.

Xhaka iu përgjigj fishkëllimave të tifozëve gjatë kohës sa po zëvendësohej në atë ndeshje duke i sharë tifozët dhe duke e zhveshur me forcë fanellën e Arsenalit, si dhe duke ecur drejt e në zhveshtore.

Tani, gazeta e madhe gjermane Bild raporton se Xhaka është i lodhur nga kritikat e ashpra që po i bëhen në Angli dhe tashmë ka vendosur të largohet nga Arsenali, gjë të cilën thuhet se ia ka bërë të ditur edhe bashkëlojtarëve në Arsenal.

Në anën tjetër, Sky Germany raporton se mesfushori zviceran me origjinë shqiptare po kërkohet edhe nga ish-klubi i tij, Borussia Monchengladbach, dhe Hertha Berling, pasi që pritet kthimi i Xhakës në Bundesligë.

Edhe Interi e edhe Milani janë të gatshëm ta transferojë Xhakën në skuadër në formë huazimi, me opsionin për ta blerë në fund të sezonit.