Xhaka: Barazimi s’është i keq

E publikuar: 27/03/2015 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kampin kuqezi Taulant Xhaka merr guximin të thotë se edhe barazimi do të ishte rezultat i mirë për formacionin e De Biasit.

Euforia e tepruar mbetet armiku kryesor i kombëtares kuqezi në prag të sfidës së Elbasan Arenës me Armeninë, e cila konsiderohet vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016. Opinioni publik është i përgatitur vetëm për fitore përballë kundërshtarit që mbyll renditjen në Grupin I, por në kampin kuqezi Taulant Xhaka merr guximin të thotë se edhe barazimi do të ishte rezultat i mirë për formacionin e De Biasit.

“Jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje, ku sigurisht do ët kërkojmë fitoren për të rritur shanset tonë për në Europian. Por edhe një barazim nuk do të ishte rezultat i keq për ne, sepse sërish do të kishim shanse për t’u kualifikuar”.

Futbollisti i Baselit në kampionatin zviceran është i bindur se Arlind Ajeti do të bëjë që të mos ndihet mungesa e Mërgim Mavrajt në qendër të mbrojtjes.

“Arlindi është një mbrojtës i ri dhe shumë i fortë. Unë kam shumë besim tek ai se do ta zëvendësojë më së miri Mavrajn, edhe pse duhet ta pranojmë që ka nevojë për më shumë eksperiencë dhe mund të mësojë nga Mavraj”.

23-vjecari është aktivizuar përgjithësisht si mbrojtës i djathtë te Baseli, por edhe si mesfushor shkatërrues, ndërsa në kombëtaren kuqezi është i gatshëm luajë edhe përkrah Lorik Canës në mbrojtje.

“Te Baseli kam luajtur në disa pozicione, madje edhe në qendër të mbrojtjes. Unë jam i gatshëm të luaj në këtë pozicion edhe në kombëtare, sigurisht nëse trajneri e sheh të nevojshme” .

Risia e De Biasit ndaj armenëve mund të jetë aktivizimi i Ledian Memushajt pas dy sulmuesve, pozicion që i përshtatet edhe cilësive të futbollistit të Pescarës në Serinë B.

“Te Pescara luaj në qendër të mesfushës në rreshtimin 4-4-2, por parapëlqej më shumë te luaj me një mesfushë me tre, pra në pozicionin që po provon De Biasi”.

Për 28-vjecarin është e rëndësishme që të gjithë futbollistët të futen me kokën ulur në fushë dhe ta zbatojmë me përpikëri detyrat që u jep trajneri.

“Luaj apo nuk luaj unë, rëndësi ka që ne të marrim fitoren. Duhet të japim të gjithë maksumin në fushë, pasi Armenia nuk është një skuadër e lehtë për t’u mundur”.