Xhaka me Arsenalin fiton Superkupën e Anglisë

E publikuar: 07/08/2017 09:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mesfushori kosovar, Granit Xhaka, ka ndihmuar Arsenalin që të nisë stinorin e ri me një trofe. Arsenali i Xhakës të dielën në Wembley ka fituar Superkupën e Anglisë (Community Shield), duke mposhtur kampionen e Anglisë, Chelsean pas penalltive me shifrat 4:1. Koha e rregullt kishte përfunduar 1:1.

Në të vërtetë Xhaka, që luajti tërë ndeshjen, asistoi në golin e barazimit të Arsenalit të shënuar nga Sead Kolashinac në minutën e 82-të. Kolashinac shënoi me kokë pas një gjuajtjeje të lirë të Xhakës.

Për Chelsean kishte shënuar Victor Moses në minutën e 46-të. Chelsea mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Pedro Rodriguezit, pas një ndërhyrjeje nga prapa, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Faza parasezonale ka qenë e mirë, është parë edhe në përformancën sot. Ishte hapi i parë për këtë stinor, jam shumë i lumtur që kemi fituar sot, ne duhet të vazhdojmë të punojmë fortë. Javën e ardhshme është Premier League dhe shpresoj se do të fillojmë mirë”, ka thënë Xhaka, që është zgjedhur edhe lojtari më i mirë i ndeshjes nga BT Sport.