Xhaferi: Qytetarët vendosën themelet e Maqedonisë Evropiane, tregon pse nuk votoi

E publikuar: 30/09/2018 20:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi e ka quajtur të suksesshëm referendumin e sotëm në Maqedoni, e thekson se qytetarët vendosën themelet e Maqedonisë Evropiane.

Ai ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët, të cilët sipas tij treguan se i përkasin familjes evropiane.

“Përgëzoj qytetarët për këtë ditë feste. Qytetarët treguan se i përkasin një kulturë të lartë dhe dëshmuan se i përkasin familjes së madhe evropiane. Përgëzoj edhe institucionet për organizimin e një procesi pa incidente serioze. Qytetarët vendosën themelet e Maqedonisë Evropiane”, ka deklaruar Xhaferi.

Kreu i Kuvendit maqedonas nuk ka arritur të votojë sot në këtë referendum, e për këtë thotë se ishte për shkak të problemeve teknike në listat zgjedhore.

“E vërteta është se nuk kam votuar në vendvotimin e rëndomtë në Gostivar, dhe shfrytëzoj këtë mundësi të deklaroj sepse mundësia e lëshimeve të mundshme teknike në listën zgjedhore ka qenë shkas të mos e shfrytëzoj të drejtën time qytetare. Mendoj se pesha e votës është e barabartë me atë të qytetarëve. Ky është një lëshim teknik i institucioneve. Por kjo nuk e ndryshon çka është qëllimi i votës dhe procesit të votimit”, ka thënë Xhaferi.

Maqedonia sot ka vendosur pro ose kundër anëtarësimit në NATO dhe BE si dhe ndryshimin e emrit të shtetit, sipas marrëveshjes së arritur me Greqinë.

20:03
Vendimmarrja për emrin e Maqedonisë tash i kalon Kuvendit
Kur pjesëmarrja e qytetarëve të Maqedonisë në referendumin për çështjen e emrit të këtij shteti nuk ka mbërritur 40 për qind të pjesëmarrjes, çështja do të kalojë për vendimmarrje në Kuvendin e Maqedonisë.

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mbajtur një konferencë për media me të përfunduar referendumi, ku ka thënë se “me votën tonë në Kuvend ne paracaktojmë të ardhmen tonë, por edhe të ardhmen e rajonit të Evropës Juglindore”.

“Sot qytetarët e deleguan këtë të drejtë te deputetët. Maqedonia alternativë tjetër nuk ka. Maqedonia duhet të jetë në BE dhe në NATO. Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë nuk ka alternativë”, ka thënë ai, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se “nëse nuk ka guxim opozitë të votojë ndryshimet kushtetuese atëherë shkohet në zgjedhje të parakohshme, por kjo është e diskutueshme”.

“Maqedonia ka tjetër agjendë përpara, atë euroatlantike. Zgjedhjet nuk janë në agjendë”, ka thënë ai.

Para Ahmetit, një konferencë e ka mbajtur edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Zaev e ka quajtur referendumin e sotëm si të suksesshëm edhe pse pjesëmarrja nuk ka qenë e kënaqshme.

Ai deklaroi se e respekton vullnetin e qytetarëve dhe se çështja do t’i kalojë Kuvendit

“Nëse Kuvendi nuk e zgjidh atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, ka thënë Zaev.