WP: Ka prova se Trump është përpjekur të krijojë një kanal me Kremlinin

E publikuar: 08/03/2018 09:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, ka dëshmi se takimi sekret që është zhvilluar në ishullin Sejçëlls të Oqeanit Indian, pak ditë përpara se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të merrte detyrën, ka qenë përpjekje e fushatës së tij për të krijuar një kanal me Kremlinin, raporton gazeta Washington Post.

Sipas saj, takimi në janar të vitit 2017 është zhvilluar midis Erik Prince, kontraktues ushtarak amerikan, i cili është vëllai i sekretares për arsim të Trumpit, dhe Kirill Dmitrievit, kreu i një fondi të pasurisë, të kontrolluar nga Qeveria ruse, i cili është i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.

Duke cituar njerëz që janë në dijeni për këtë çështje, Washington Post thotë se një dëshmitar që bashkëpunon me Muellerin u ka thënë hetuesve se takimi është caktuar paraprakisht, në mënyrë që përfaqësuesi i ekipit tranzitor të Trumpit të mund të takojë një të dërguar të Moskës, për të diskutuar marrëdhëniet e ardhshme midis dy vendeve.

Washington Post thotë se George Nader, biznesmen libanezo-amerikan, i cili ka ndihmuar dhe ka ndjekur takimin në Sejçëlls, ka dëshmuar për këtë çështje përpara një jurie të madhe, e cila po mbledh dëshmi për lidhjet e mundshme midis fushatës së Trumpit dhe Kremlinit.

Washington Post thotë se Nadar ka nisur të bashkëpunojë si dëshmitar në hetimet e Muellerit në muajin janar.

Erik Prince ka mohuar se ka takuar Dmitrievin në emër të Trumpit dhe ka thënë se gazetarët duhet t’iu referohen komenteve të tij publike për takimin, të bëra vitin e kaluar.

Vitin e kaluar, Prince u ka thënë ligjvënësve dhe mediave se takimi ka qenë i paplanifikuar dhe i parëndësishëm, pasi ai ka qenë në një hotel luksoz në Sejçëlls për takime me zyrtarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Prince nuk ka pasur rol formal në fushatën e Trumpit dhe ka thënë se ka shkuar në Sejçëlls si biznesmen privat dhe jo si i dërguar jozyrtar i Trumpit.

Prince ka thënë se është njohur me Dmitrievin përmes zyrtarëve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe se ka folur me të jo më shumë se 30 minuta. Ai ka mohuar në mënyrë specifike vitin e kaluar se takimi është aranzhuar për të krijuar një kanal të komunikimit me Kremlinin.

Washington Post thotë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërmjetësuar takimin pjesërisht për të shqyrtuar nëse Rusia mund të bindet për të kufizuar marrëdhëniet e saj të ngushta me Iranin – një objektiv kyç i administratës Trump dhe i disa vendeve të Gjirit Arab.

Washington Post, duke cituar zyrtarë amerikanë, thotë se një koncesion i tillë nga Moska do të kërkonte të justifikonte ndonjë lehtësim të sanksioneve amerikane kundër Rusisë nga administrata Trump.

Washington Post thotë se derisa Mueller po shqyrton rrethanat e takimit në Sejçëlls, ai po ekzaminon edhe përpjekjet e dukshme të ekipit tranzitor të Trumpit për të krijuar një kanal për bisedime sekrete me Kremlinin.

Pas takimit në Sejçëlls, Nader ka vizituar disa herë Shtëpinë e Bardhë dhe ka takuar së paku një herë ish-këshilltarin e presidentit, Stephen Bannon, dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e Trumpit, raporton gazeta Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela